Faton Mehmeti
Lidhja e njeriut me atdheun dhe vendin e tij është një çështje e rrënjosur thellë në shpirt. Atdheu është vendlindja, është vendi i jetës, vendi i adhurimit, vendi i pasurisë dhe i mallit, vendi i krenarisë. Ndërkohë, njeriu është frymori më i shenjtë dhe më i vlefshëm në jetë. Lidhja e njeriut me atdheun bëhet më e fortë në momente të vështira, kur ai (atdheu) është në rrezik nga pretendimet e armiqve, që historikisht ne shqiptarëve na ka përcjellë. Fatmirësisht kombi shqiptar gjithnjë ka pasur njerëz të ndritur, të cilët i gjenden atdheut në momentet kritike të tij.
Luftëtarët ishin ata që i dolën zot popullit shqiptar. Ndërsa antiteza e patriotëve ishin politikanët, të cilët e zhvatën popullin e rraskapitur nëpër rropatjet e jetës. Siç thoshte edhe Konica i madh: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. A mund të jetohet në Kosovë? Pothuajse 16 vjet pas çlirimit të Kosovës, askush s’do ta besonte që emigrimi do të mbetej rruga e vetme për një vend pune. Gjatë luftës, mijëra njerëz si refugjatë u strehuan nëpër vende të ndryshme të botës, me shpresën se me në fund, do të vinte liria, dhe do të jetonin si evropianë. Kohët e fundit – nga shtatori 2014, deri në fillim të shkurtit 2015 – nga Kosova u larguan mbi 40 mijë qytetarë.
Fluksi ikjeve vazhdon ende. Për ironi, qeveria e Kosovës ka miratuar një rezolutë kundër emigrimit, e cila jo vetëm shkel të drejtat e njeriut, por edhe e komplikon situatën më shumë. Qeveria, në vend që të merrem me thellimin e reformave, krijimin e një klime më të mirë për biznesin, miraton një rezolutë që ua ndalon qytetarëve lëvizjen e lirë. Pikërisht, delegacioni shqiptar nga Kosova në Bruksel, ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë, për të t’ua mundësuar qytetarëve lëvizjen e lirë, ndërsa tani po i ndalon ata. Tani policia ka dalë në rrugë dhe i ndalon autobusët që dalin nga Kosova. Me çfarë të drejte, kur ata janë në rregull me dokumentet brenda territorit kosovar? Qytetarët po rrezikojnë jetën për një jetë më të mirë jashtë Kosovës. Në vendin tonë nuk ka më frymë pozitive, nuk ka më perspektivë dhe njeriu vuan. Kjo situatë tragjike na kujton romanin e Hygosë, “Njeriu që qesh”.
Ky roman, është një vepër pak e njohur, në të cilën shfaqen opinionet dhe angazhimi i tij politik. Në këtë roman autori paraqet korrupsionin te klasa politike, ku dashuria e pastër dhe e dëlire, lakmia për prestigj, luksi si hobi – të gjitha këto pasione, janë mbledhur në të njëjtën shoqëri që diferencon për dukje dhe që nuk harrin të shohë më tutje, por vetëm qesh me fatkeqësinë. Finalja tragjike e romanit nuk e pakëson besimin në çlirimin e ardhshëm të njerëzve të shtypur, sepse në anën e heronjve mbetet forca e pathyeshme e drejtësisë morale.















