Behar Gjoka
Në mes të shprehjeve të mençurisë popullore hyn edhe kjo frazë, “më katolik se sa Papa”, që fsheh dhe zbulon një situatë të pazakontë, kur zelli tejkalon nevojën, pa qenë e nevojshme. Në momentet kur besimtarë të ndryshëm, ateistë dhe të pafe, teologë dhe gjithëditës, lëshohen në turravrapin e mbrojtjes së kishës, ndërsa një pale tjetër mbron Visar Zhirin, më ndërmend pikërisht kjo frazë, e cila përçon një domethënie. Besimtarët, e të gjitha anëve dhe ngjyrave, flasin gjithë ditën këtë temë, ndonëse pa shumë argument logjik. Ateistët dhe të pafetë, në këtë zallamahi të zhurmimit, përfshihen vetëm sa për të rënë sy si të pranishëm – në fakt më shumë bëjnë sikur debatojnë. Teologët, që dinë pak më shumë sesa të tjerët, flasin në një mënyrë të çuditshme, kësaj herë vetëm me gjeste. Analistët e gjithëdijes, që flasin për gjithçka të tokës, qiellit, detit e nëntokës – e dihet se si flasin: kodra mbas bregut dhe mali mbas kodre – kanë zënë qoshen e kuvendimit.
Me këta të fundit puna është më keq se me të tjerët, se ata, jo vetëm që flasin, por edhe mëtojnë t’i vënë kapak muhabetit. Në fakt, i gënjen mendja e guximit të gjithëdijes, se në këtë rast nuk është se qullosën diçka të hajrit. Ashtu si bëjnë gjithmonë, kur zihen e grihen për politikë, edhe kësaj herë, u ndanë në palë ndërluftuese. Ithtarët e kishës, të së drejtës së besimtarëve katolikë, po bërtasin se nuk qenkan të përfaqësuar. Vetëm tani e panë, apo o burra që na doli rasti, t’u fryjmë sa mundim erërave të përplasjes fetare. Harrohet se jemi shqiptarë; harrohet se kemi një ekzistencë unike të bashkëjetesës fetare. Pala tjetër, mbrojtësit vullnetarë të Visar Zhitit, njeriut që është robtuar në diktaturë, poetit të vuajtjes, që këtyre moteve ka patur disa detyra shtetërore, dhe që para ca kohësh i ra për hise, ajo që mos e provoftë asnjë prind – humbja tragjike e të birit – i ra berihaja se është figurë e gjetur. Vetë Zhiti, në mes të tjerash, lëshoi shprehje me inkuizitor dhe që na qenka pagëzuar. Nga ana tjetër, politika, që si rrallë herë unifikohet, e tha fjalën e vet duke e votuar Zhitin për ambasador.
Nga palët që debatojnë, besimtarë apo teologë, ateistë apo gjithëditës, harrohen dy momente thelbësore. Së pari, fakti që Shqipëria është shtet i pavarur dhe për të drejtën e përfaqësimit të ambasadorëve, si të gjitha vendet e tjera, nuk ka arsye ligjore që ta debatojë dhe negociojë me askënd si çështje. Së dyti, Shqipëria është një vend laik, që marrëdhënien me besimin e ka të zgjidhur në Kushtetutën e saj. Pra, jemi në situatën kur hapësira ligjore e sheh si normale, përfaqësimin pranë Vatikanit me një përfaqësues të Republikës së Shqipërisë, si një vend sovran me disa besime fetare, që unitetin kombëtar e ka realizuar më anë të bashkëjetesës fetare. Madje, prej kësaj ane unike, Shqipëria është shembull në rajon dhe më gjerë. Thelbi i shprehjes së një zhurme më të madhe se sa duhet, me shumë gjasa të një revolucioni në gotën e zbrazur, në një luftë gladiatorësh larg mendimit, larg frymës së mirëkuptimit njerëzor, i nxjerrë jashtë loje luftëtarët e vetofruar në një betejë pabukëse. Ka jo pak raste kur fjala mundet nga heshtja. Papa ka heshtur në lidhje me zhurmimin e radhës, që po ngjet ndër ne, për të rritur nivelin e përfaqësimit të Shqipërisë në botë. Papa ka heshtur; ai që këto punë i di më mirë se sa të tjerët, sepse është një akt që nuk ka nevojë për zhurmë dhe zhurmues. Nuk ka nevojë aspak të jesh më katolik se sa Papa!















