Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka thënë se emigrimi i qytetarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian është problem, i cili kërkon zgjidhje brenda Kosovës dhe se ekzekutivi i vendit është duke punuar të gjejë mënyrën e duhur për ta parandaluar braktisjen e vendit.
Ai në një intervistë për gazetën Zëri ka thënë se për parandalimin e këtij fenomeni ndihmesë do të ishte edhe punësimi sezonal në vendet e Bashkimit Evropian, por sipas tij, zgjidhjen duhet gjetur brenda Kosovës.
Çollaku ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kualifikohen për azil në BE, pasi që azili jepet në bazë të arsyeshmërisë dhe evidencës së fortë kur dikush përndiqet dhe persekutohet në bazë të përkatësisë racore, fetare, nacionale, bindjeve politike apo në raste të shkeljeve të të drejtave njerëzore, por jo në baza të kushteve socio-ekonomike.
Ai pret që Kosova t’i përmbushë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, prandaj qytetarët e Kosovës e meritojnë heqjen e regjimit të vizave.
Rikujtojmë se migrimi ilegal ka marrë përmasa të mëdha në Kosovë. Raportohet se vetëm gjatë dy muajve të fundit Kosovën e kanë braktisur rreth 30 mijë qytetarë.
Çështja e ikjes nga Kosova është bërë temë debati e secilit prej nesh, ndërsa fitohet përshtypja se ky fenomen nuk po i shqetëson shumë pushtetarët, të cilët edhe konsiderohen se janë shkaktarë të tij me papërgjegjësinë e tyre ndaj popullit.















