Nga Nesrine Malik, The Guardian
Pamjet e një piloti jordanez që po digjej për së gjalli nga militantët e Shtetit Islamik (ISIS) nisën të qarkullonin nëpër rrjetet sociale dhe sajtet e zakonshme të lajmeve të hënën. Ashtu sikurse me prerjet e kokave dhe aktet e tjera brutale të kryera nga ky grup në të kaluarën, pati thirrje që kjo video apo fotot të mos përhapeshin, në shenjë respekti ndaj pilotit dhe familjes së tij dhe në mënyrë për të mos i bërë reklamë në mënyrë të mëtejshme mesazhit të terroristëve. Por siç duket detajet ishin aq mizore, saqë shumëkush nuk mundi të mos e shihte dhe ta shpërndante.
Unë refuzova ta shoh (nuk i shoh asnjëherë: duket më shumë sikur i jepet ISIS-it vëmendja që kërkon me ngulm). Por kjo nuk i ndali të tjerët të më tregonin me pasion detaje të asaj që shfaqte video. Dikush tha edhe se ishte “një burgosje prej burracakësh”. Me sa duket, ISIS-i ka krijuar një lloj të tërë përvoje vrasëse kinematografike.
Disa përdorues internet ndihen të tërhequr nga kjo mizori e përgjakshme – vrasja me gurë, prerjet e kokave, hedhja e njerëzve nga pallatet, vendosja e kokave të prera mbi heshta. Ndoshta ka njëfarë detyrimi për të parë se deri ku mund të arrijë ISIS-i. Por veprimi i mirëfilltë për të qenë dëshmitarë të këtyre gjërave, në njëfarë mënyre, na bën bashkëfajtorë.
Mediat përballen me një dilemë të veçantë, duke qenë se mizoritë e bëjnë edhe më të bujshëm lajmin. Por çdo vendim për të transmetuar pamje të tilla na çon në një territor të vështirë. Kur “Fox News” poston gjithçka me paralajmërimin “video grafike ekstreme” bashkëngjitur, mund të falet nëse mendohet se i vetmi faktor në lojë është angazhimi për të thënë të vërtetën. Por video të tilla kanë si synim që të shndërrohen në një karrem grotesk klikimesh. Duke i bërë ato të arritshme te një audiencë sa më e gjerë, kjo vetëm sa i ndihmon terroristët të arrijnë shënjestrat e trafikut të tyre.
Për disa, transmetimi i videos nuk është vetëm një virtyt gazetaresk. Shikimi i saj është pak a shumë i nevojshëm për ta përcjellë tmerrin e plotë të ISIS-it në shtëpi. Piers Morgan, ish-botuesi i “Daily Mirror”, shkroi te “Daily” se ai nuk mundi t’i rezistonte tundimit të klikimit, por se ishte “i kënaqur” që e bëri një gjë të tillë, sepse tani ai e di “se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta egërsira”. Nuk e kuptoj si përbëka lajm për të natyra e tyre?! Nuk e kishte zbuluar ende një gjë të tillë nga përdhunimet, skllavërimet dhe ekzekutimet e mijëra personave.
Ai mendon edhe se kjo mund të ndihmojë që të fitohet beteja e ideve. “Nëse ndonjë mysliman ka ndonjë dyshim nëse është ky momenti i duhur apo jo për t’u ngritur dhe për të bërtitur ‘Jo në emrin tim apo të fesë sime’, atëherë u sugjeroj që edhe ata ta shohin videon”. Ku na qenka kjo botë myslimane plot dyshime nëse ISIS-i na qenka apo jo një armik?
Morgan mendon se fakti që viktima e fundit është një arab sunit, do të thotë se është shkelur një kufi i paprekshëm. Kjo ekspozon pikëpamjen e tij se ka një mbështetje të gjerë indirekte për ISIS-in ndërmjet myslimanëve, për faktin se ata po ndeshen me Perëndimin dhe se kjo video do t’ua tronditë këtë kënaqësi. Morgan shton në mënyrë të dobishme: “Kjo është lufta juaj”.
Shumica e myslimanëve nuk i honepsin dot mendimet e ISIS-it dhe nuk ka nevojë për një video për t’i ndihmuar ata. ISIS po luan kukafshehti dhe po provokon, duke e maskuar këtë me gjuhën e këmbimit të të burgosurve dhe të ekzekutimeve, si për të treguar se është me të vërtetë ashtu sikurse pretendon se është. Çdokush që i shikon dhe i përhap këto video po luan rolin që është përcaktuar prej tyre në skenarin vrasës. Krimi nuk përfundon me vrasjen e viktimës: videoja dhe procesi i shikimit dhe reagimit ndaj saj janë vazhdimi i aktit terrorist.
Me mijëra janë vrarë jashtë kamerave, në mënyrë po aq brutale, por këto filmime i mundësojnë ISIS-it ta tregojë neverinë e akteve barbare që shkaktojnë ato. Ato synojnë të shkaktojnë pikërisht reagimin e Morganit: ai tha se u përfshi nga një “inat i pakontrollueshëm që asnjë argument i arsyeshëm nuk do të mund t’ia zbuste”.
Por këto video e kthejnë internetin në një shesh mizor publik, ku ne të gjithë mblidhemi dhe shohim të tmerruar, dhe më pas shpërndahemi, duke marrë pjesë pa dashje në një cikël makabër veprimi dhe reagimi.
ISIS vërtet ka vrarë pengje të huaja, yezidë dhe anëtarë të grupeve të tjera etnike dhe fetare. Por shumica dërrmuese e të shenjestruarve ka qenë myslimane. Askush nuk ka ndonjë dyshim se lufta e kujt është kjo, apo nëse është apo jo i aftë ISIS të krijojë makthe të tilla. Filmat e krimeve të tyre janë sipërfaqësore dhe rrezikojnë të na shpërqendrojnë nga vuajtjet e vazhdueshme të atyre që jetojnë nën to. Kështu që pse të vazhdojmë t’i shikojmë?















