Nga Roland Lami
Përmbytjet e fundit, sidomos ato të pjesës jugore të Shqipërisë, na kanë krijuar mundësinë për të gjykuar mbi efektshmërinë ose paefektshmërinë relative të institucioneve të shtetit shqiptar. Sigurisht, nuk përjashtohet ndikimi i faktorit natyror në përkeqësimin e situatës, për shkak se edhe vende të tjera kalojnë situata të ngjashme për shkak të reshjeve të mëdha, por kjo nuk nënkupton injorimin e përgjegjësisë së faktorit njerëzor. Pasi siç dihet, natyra për fat të keq ose të mirë, nuk administrohet dot nga njerëzit, por këta të fundit kanë mundësi nëpërmjet instrumentalizimit të arsyes të parashikojnë deri diku kapriçot e tij dhe çfarë është më e rëndësishme, të shfrytëzojnë eksperiencat e suksesshme në vite për të perfeksionuar mekanizmat në drejtim të minimizimit të dëmeve ose në rastin më të mirë, eliminimin e tyre. Dhe në rastin tonë, arsyet e degradimit të situatës janë vetëm njerëzore.
Në këto vite, për fat të keq, kërkesa për t’i ndërtuar mekanizmat e parandalimit dhe menaxhimit të katastrofave natyrore ka ardhur kryesisht nga institucionet ndërkombëtare. Mirëpo, eksperienca ka treguar se në përgjithësi ngritja e mekanizmave të tillë nuk realizohet nëse mungon interesimi nga brenda dhe vetëdija për vlerën e ndërtimit të tyre. Në këto kushte, nevojitet një ngjarje me përmasa katastrofike që të gjithë të kuptojmë fiktivitetin e politikave rajonale dhe kombëtare, mosefikasitetin e administrimit në nivel lokal, si dhe ndikimi i faktorëve kulturorë dhe strukturorë që e kanë rënduar situatën. Komponentë të tillë nuk përjashtojnë nga përgjegjësia askënd, dhe si rrjedhojë nuk mund të anashkalohet askush për nga pesha e fajit. Nëse problemi i faturohet vetëm kapriços së natyrës duke anashkaluar faktorin njerëzor dhe politik siç po bën qeveria socialiste sot dhe ajo demokratike dje, apo t’ia faturosh të gjithë përgjegjësinë qeverisë aktuale sipas opozitës së sotme dhe asaj të djeshme, kur situata të ngjashme kanë ndodhur në disa zona të Shqipërisë në vitet 2004, 2010, 2011, nxjerr në pah papërgjegjshmërinë e aktorëve politikë për të mos e trajtuar seriozisht situatën.
Forcat kryesore politike duke njohur dimensionin e problemit që nuk mund të marrë zgjidhje me një ndërhyrje të pjesshme, siç është vepruar deri tani, duhet të mendojnë seriozisht për të gjetur rrugët e zgjidhjes brenda logjikës politike dhe asaj publike. Themi brenda logjikës politike, pasi politika nga vetë natyra nuk mund ta anashkalojë interesin e saj, pavarësisht sugjerimeve moralizuese që ofrojmë ne si publik në të tilla raste. Në këtë kontekst, bëhet e kuptueshme taktika e saj për t’i ikur përgjegjësisë ose për ta faturuar atë tek kundërshtari. Mirëpo, problemi në këtë rast është se sa arrin publiku të mos e kuptojë këtë lojë ose ta tolerojë atë, pasi përsëritja e përmbytjeve e bën të pavlefshme tentativën e qeverisë apo të opozitës për t’ia faturuar përgjegjësinë kundërshtarit ose natyrës, pasi tek publiku nuk rezulton më një bindje e tillë për vetë faktin se fenomeni ka një shtrirje gjeografike që prek si zona që administrohen nga pushtetarë lokalë të djathtë, ashtu dhe të majtë, njëkohësisht, dukuria e përmbytjes ka ndodhur si në kohën e qeverisjes së djathtë, ashtu dhe asaj të majtë. Atëherë, taktikë tjetër mbetet shpërndarja e përgjegjësisë duke e justifikuar: me mungesën e eksperiencave në drejtim të parandalimit të fenomeneve të tilla; instrumentet e pamjaftueshme financiare për të bërë një ndërhyrje totale, ekspertizë e dobët nga ana e burimeve njerëzore për të parandaluar efektet e katastrofave të tilla, paaftësinë në ushtrimin e autoritetit nga ana e institucioneve lokale dhe qendrore, injorim i ligjeve dhe parametrave teknikë nga ana e qytetarëve dhe bizneseve etj. Në këto kushte, kërkohet një fillim i ri. Pra, kërkohet një rikonceptim dhe marrje përgjegjësie të të gjithë faktorëve politikë me qëllim hartimin e një strategjie kombëtare për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen. Ky konsensus është i nevojshëm për disa arsye.
Së pari, një plan i mirëmenduar në nivel qendror nga ana e qeverisë së majtë jo detyrimisht mund të zbatohet nga institucionet në nivel lokal, pasi një pjesë e tyre nesër do të administrohen nga e djathta dhe në të tilla kushte nuk kanë minimalisht interesin politik për ta përshpejtuar zbatimin e projektit nëse nuk merr miratimin edhe të opozitës, por përkundrazi do të pengojnë realizimin e tij (kjo është në natyrën e çdo force politike) Së dyti, investimet në vlerë kapin shifra marramendëse që buxheti vjetor nuk mund t’i përballojë, atëherë do të mendohet të sigurohen një fond i shtrirë në disa vite. Në këtë rast bëhet i nevojshëm konsultimi me opozitën jo vetëm për përmasat e investimit por edhe për garancitë që mund të ofrojë ajo, që nëse nesër vjen në pushtet nuk do të cenohet financimi i zbatimit të këtij projekti. Së treti, kostoja e dëmeve dhe kompensimeve në raport me koston e investimeve të ndërhyrjeve që mund të kërkojë projekti janë në përpjesëtim të zhdrejtë. Sipas logjikës ekonomike rezulton që më mirë të kemi një investim serioz me kosto për shoqërinë, por që ofron garanci për të ardhmen, sesa të dëmshpërblejmë banorët e dëmtuar për çdo vit. Përllogarisni koston e dëmeve si dhe dëmshpërblimin e banorëve të përmbytur në 2010, 2011, në zonat e Shkodrës dhe Lezhës dhe sot në zonat e jugut, për të krijuar një ide mbi faturën financiare që na pret në të ardhmen e afërt dhe të largët.
Këto arsye nxisin forcat politike që, pavarësisht kalkulimeve politike që bëjnë për të tilla situata, ta shikojnë përfitimin politik dhe publik tek bashkëpunimi dhe jo tek përjashtimi dhe faturimi i fajit tek tjetri. Njëkohësisht, edhe publiku ta kuptojë se nevojitet një investim kolosal në adresë të zgjidhjes së situatës që, pavarësisht se limiton së tepërmi investimet publike në sektorë të tjerë për një kohë relativisht të shkurtër, ama zgjidh përfundimisht një problem që mund të na rëndojë shumë më tepër nëse nuk zgjidhet në terma afatshkurtër. Tek e fundit e kemi krijuar dhe vetë ne gjithë këtë periudhë postkomuniste ku secili ka “kontributin e tij”.
















