Ka nisur edicioni i 65 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, ku Shqipëria prezantohet dhe garon për çmimin “Ariu i Artë” me filmin “Burrneshat”, i cili është një nga 10 filmat që pritet me kuriozitet nga kritika dhe publiku gjerman
Kasta e aktorëve të filmit “Burrnesha” kanë shkelur dje në tapetin e kuq gjatë ceremonisë së çeljes së edicionit të 65-të të Festivalit të Filmit në Berlin, si pjesëmarrës në garën për “Ariun e Artë”. Ky film, i cili trajton fenomenin shqiptar të burrneshave, ka hyrë në konkurrencë zyrtare në Berlinale dhe do të shfaqet premierë botërore në këtë festival më 12 shkurt.
“Burrneshat”, i cili mban firmën e autoreve italianë Laura Bispuri dhe Franceska Manieri, me regji të Laura Bispurit, sjell një kastë aktorësh ndërkombëtarë si Alba Rohrwacher, Lars Eidinger, Flonja Kodheli, Luan Jaha, Emily Ferratello, Luan Jaha e Ilire Vinca Çelaj. Është filmi i parë i mbështetur nga QKK-Kosovë, që hyn në konkurrencë zyrtare në Berlinale.
“Burrneshat” është një nga filmat që ka zgjuar kureshtjen e kritikës dhe publikut gjerman, i renditur edhe si një nga dhjetë më të bujshmit e këtij edicioni.
Në këtë edicion të Berlinales merr pjesë edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, e pranishme në “European Film Market”.
Për herë të parë filmat, produksionet, post-produksionet, projektet në zhvillim, festivalet dhe shtëpitë filmike, vijnë në një katalog të kinematografisë shqiptare, botim ky i QKK-së, me të cilin u prezantuan ditën e djeshme në edicionin e 65-të të Festivalit të Filmit në Berlin.
Producentët dhe regjisorët e huaj kanë mundësi të njihen me zhvillimin e filmit në Shqipëri.
Galanë e mbrëmshme në Pallatin e Berlinales e çelën Ministrja e Shtetit dhe Komisionerja për Kulturën dhe Mediat Monika Grütters, Kryebashkiaku Michael Müller, presidenti i jurisë Darren Aronofsky dhe Drejtori i Festivalit Dieter Kosslick.
Gjatë ceremonisë së hapjes, u prezantua edhe juria ndërkombëtare, ku krahas regjisorit amerikan Darren Aronofsky, si kryetari, përbëhej nga emra të shquar si aktori gjerman Daniel Brühl, regjisori nga Koreja e Jugut Bong Joon-ho, producentja amerikane Martha De Laurentiis, regjisorja nga Peruja Claudia Llosa, aktorja franceze Audrey Tautou, si edhe skenaristi amerikan Matthew Weiner.
Galaja u prezantua nga aktorja komike gjermane Anke Engelke. Gjatë kësaj nate u prezantua në premierë botërore filmi i regjisores spanjolle, “Nadie quiere la noche” ( Askush nuk e do natën). Të pranishëm ishin regjisorja dhe yjet e filmit si Juliette Binoche, Rinko Kikuchi, dhe Gabriel Byrne.
Të pranishëm në tapetin e kuq ishin edhe anëtarët e jurisë së çmimit “ Best First Feature Aëard”, regjisori meksikan Fernando Eimbcke, me të cilin prezantuesja ka shkëmbyer disa batuta gjatë mbrëmjes, regjisori amerikan Joshua Oppenheimer, si edhe aktorja ukrainase Olga Kurylenko.
Me një lirshmëri në komunikim, prezantuesja ka bashkëbiseduar me yjet e pranishëm, duke shkëmbyer batuta me ta. Një prej të shenjestruarve të saj ka qenë aktori amerikan James Franco, i cili ishte i pranishëm në festival me tre filma. Ndërsa salla ka shpërthyer në të qeshura.
Të pranishëm ishin edhe disa figura të njohura politikanësh, ministra të kabinetit gjerman, si edhe diplomatë të huaj.
Drejtori i Festivalit, ka integruar një numër të madh të regjisorëve të spikatur në programin 10 ditor. I lavdëruar si një prej regjisorëve më të mëdhenj që jeton, emri i Terrence Malick qëndron në listën e 19 produksioneve që konkurrojnë për çmimet “Ariu i Artë” dhe “Ariu i Argjendtë”.
Emrat e mëdhenj konkurrues për çmime këtë vit janë spanjollja Isabel Coixet, producentët britanikë Peter Greenaway he Kenneth Branagh, Benoit Jacquot nga Franca dhe Alexei German nga Rusia. Të fortë në garë shihen edhe filmat aziatikë. Ky vit përfshin filma nga Vietnami, Kina dhe Japonia. Për herë të parë në këtë festival do të përfaqësohet Kili dhe Guatemala.
Në programin 11 ditor të Festivalit, Berlinalja premton filma emocionues, emra të mëdhenj të kinematografisë botërore dhe shumë surpriza.
Regjisorë të famshëm gjermanë pritet të zbulojnë punët e tyre të fundit gjatë 11 ditëve.
Regjisorit Wim Wenders i është akorduar një “Ari i Artë” për arritjet në karrierë. Filmi i tij do të shfaqet si një përzgjedhje mes klasikëve të kinemasë. Drama e Oliver Hirschbiegel –it rreth përpjekjes së Georg Elser për të vrarë Hitlerin do të ekranizohet jashtë konkurrimit, po ashtu edhe filmi i ri i Margarethe von Trotta-s. Filmi i Werner Herzog “Mbretëresha e Shkretëtirave” është mes filmave konkurrues.
10 filmat më të pritur të Festivalit
“Knight of Cups” nga Terrence Malick është eventi i madh i Berlinales 2015, i cili vjen si krijimi i ri i një prej mjeshtërve të kinemasë bashkëkohore amerikane. Magjepsës që nga imazhet e para të shfaqura në rrjet. Me një kastë të nivelit të lartë si Christian Bale, Natalie Portman, Cate Blanchett është një nga filmat me metrazh të gjatë më të pritur të këtij viti/
“Queen of the Desert” nga Werner Herzog rrëfen jetën e Gertrude Bell, një eksploratore britanike e konsideruar si një lloj “Lorenci i Arabisë” në versionin femëror. Një histori e vërtetë, e mbushur me aventura dhe sugjestionuese, me protagoniste Nicole Kidman.
“Eisenstein in Guanajuato” nga Peter Greenaway rrëfen periudhën meksikane të një prej mjeshtërve më të mëdhenj të artit të shtatë: Sergej Ejzenstejn. Talenti vizual i Greenaway vihet kështu në shërbim të autorit sovjetik i “Luftanija Potemkin”.
“Every Thing Will Be Fine” nga Wim Wenders – është një dramë familjare me protagonist James Franco-n. Regjisori ka zgjedhur të përdorë teknikën 3D, të eksperimentuar me sukses në filmin “ Pina”. Filmi nuk është në garë.
“El club” nga Pablo Larraìn, është një film për të cilin dihet ende shumë pak. Si surprizë, por jo aq e papritur, mund të jetë një nga favoritët për Ariun e Artë.
“Taxi” nga Jafar Panahi, zgjedhur sediljen e një taksie për të rrëfyer shumë pasagjerëve fytyrat e ndryshme të vendit të tij të lindjes.
“Under Electric Clouds” nga Aleksei German Jr. është një film ekzistencial dhe filozofik, në të cilin kujtimi i së kaluarës përzihet me dëshirat e së ardhmes. Regjisori ka futur një “Luan të Argjendtë” në Venecia më 2008-n dhe në Berlin vjen si pretendent.
“Mr. Holmes” nga Bill Condon sjell Sherlock Holmes-in më të moshuar që është shfaqur ndonjëherë në ekran. Bill Condon tregon personazhin e famshëm të ideuar nga Sër Arthur Conan Doyle tashmë në pleqëri. Jemi në vitin 1947 dhe detektivi në pension reflekton mbi jetën dhe të kaluarën e tij. Në rolin e protagonistit është aktori Ian McKellen.
“50 hijet e Grejit” nga Sam Taylor-Johnson e sheh adaptimin e bestsellerit të E. L. James. Si një prej titujve më të nxehtë të viteve të fundit.
“Burrneshat” nga Laura Bispuri vjen si një nga surprizat e evenimentit. Protagoniste është Alba Rohrwacher në rolin e gruas shqiptare që detyrohet të bëjë një zgjedhje jete jo të thjeshtë. Ekranizimi i filmit “Hana” të shkrimtares shqiptare, Elvira Dones, ka ngjallur kuriozitet në Berlin.


















