Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar tre kërkesat e Partisë Demokratike në lidhje me komisionin e posaçëm parlamentar të ngritur për reformën në drejtësi.
Para se të niste seanca e sotme parlamentare Konferenca e Kryetarëve vendosi të rrëzojë kërkesën e demokratëve për të pasur bashkëkryetar në këtë komision,
kërkesën për të pasur numër të barabartë të anëtarëve në komisionin për reformën në drejtësi si dhe atë për të pasur të drejtën e vetos.
Nuk ka ende një reagim zyrtar nga ana e Partisë Demokratike pas këtij vendimi, por më herët e ka bërë të qartë se nëse kërkesat nuk plotësohen atëherë nuk do të bëhen pjesë e komisionit për Reformën në Drejtësi.
Komisioni i posacëm ka bërë disa mbledhje por opozita nuk ka qënë e pranishme .
Ora 10:00 PD kërkon që debati në Kuvend të përqëndrohet te përmbytjet
Partia Demokratike kërkon ndryshimin e rendit të ditës dhe debati të fokusohet te situata e përmbytjeve. Përpara nisjes së Kuvendit është mbledhur Konferenca e Kryetarëve për të shqyrtuar kërkesën e PD.
Parlamenti shqyton sot dekretin “Për propozimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”.
I propozuari nga kreu I Shtetit si Guvernator, Gent Sejko pritet të marrë votat e deputetëve të kuvendit për të marrë postin e lënë bosh që prej arrestimit të Ardian Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë.
Pritet që Sejko të marrë votat e dy palëve, pasi në seancën dëgjimore në komisionin e Ekonomisë mori urimet e deputetëve ende pa u votuar si Guvernator.
Sejko ka përcaktuar si sfidën e tij të parë si Guvernator kthimin e besimit në institucionin e Bankës së Shqipërisë si dhe rritjen e transparences.
Ndërsa për vjedhjen në thesar, Sejko premtoi rishikim të përgjegjësive por edhe të shumës së vjedhur.
















