Bashkia e Tiranës dhe qeveria janë përplasur sërish këtë të martë. Nënkryetari Eno Bozdo deklaroi se punimet për rikonstruksionin e një ndërtese që më parë përdorej nga ana e Dhomës së Tregtisë po zhvillohen pa leje ndaj dhe ato duhen pezulluar. Bozdo ju drejtua objektit së bashku me policinë bashkiake mirëpo policia e shtetit nuk ka lejuar asnjë veprim të zyrtarëve të bashkisë. Kjo e fundit ka qëndruar në hyrje të godinës deri sa është larguar policia bashkiake. nënkryetari Bozdo në një prononcim për mediat u shpreh se qeveria vazhdon të përdorë standarde të dyfishta. Sipas tij ekzekutivi nga njëra anë burgos dhe shkatërron ndërtime të qytetarëve në pamundësi dhe nga ana tjetër merr në mbrojtje ndërtime pa leje të ministrave dhe familjarëve të drejtuesve të lartë të qeverisë. “Punimet që kryhen në këtë objekt në mes të ditës, në mbrojtjen e plotë të Policisë së Shtetit nuk kanë asnjë lloj leje ndërtimore. Ministria e z. Veliaj që ka marrë përsipër të ndërtojë në këtë objekt nuk ka bërë absolutisht asnjë lloj aplikimi sipas ligjit përkatës në Bashkinë e Tiranës, për t’u pajisur me leje zhvillimore. Të ndodhur në këto kushte, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor i Bashkisë së Tiranës ka ardhur dhe ka bërë të gjitha konstatimet përkatëse, duke vendosur edhe gjobën dhe duke nxjerrë edhe urdhrin përkatës për ta rikthyer objektin, në mungesë të një leje zhvillimore, në gjendjen e tij të mëparshme”- tha Bozdo. Më herët qeveria ja ka kaluar këtë ndërtesë Ministrisë së Mirëqenies Sociale me qëllim transformimin e saj në qendër rinore. Në reagimin e saj pas ngjarjes Ministria u shpreh se punimet në këtë ndërtesë po kryen në bazë të ligjeve në fuqi.

















