Regjistrohet çarja e parë e fortë e mazhorancës në këto 17 muaj që qeverisin bashkë vendin, PS dhe LSI. Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi sot publikisht se testimi i mjekëve, është një arnim i panevojshëm. Kurse theksoi se “paligjshmëria e këtij testimi, e rëndon situatë”. Deklarata e ish ministrit të Shëndetësisë në kabinetin e Sali Berishës, vjen disa ditë pasi ministri aktual Ilir Beqaj lajmëroi testimin e të gjithë mjekëve në spitalet shqiptare, duke aluduar vetëm për ato shtetërore. Nisma u mbështet edhe nga kryeministri Edi Rama. Deklarata e sotme e LSI, duket të jetë e vonuar, mesa duket për shkak të diskutimit të saj paraprakisht.
Dhe sot, kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili ka dalë hapur kundër nismës qeveritare. I pyetur nga një grup mjekësh, Vasili ka komentuar nismën për testimin e mjekëve. Z. Vasili ka deklaruar se testimi i mjekëve është një arnim i panevojshëm dhe se paligjshmëria e këtij testimi e rëndon situatën. “Testimi i mjekëve është një arnim i panevojshëm. Unë vlerësoj se paligjshmëria e testimit të mjekëve e rëndon akoma më shumë situatën”, u shpreh z. Vasili. Më tej, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se kjo nismë është një ide e gabuar dhe se imponimi antishkencor nuk e përmirëson sistemin shëndetësor. Sipas z. Vasili, edukimi në vazhdim i mjekëve është rruga e duhur dhe e vetmja për të ecur përpara. “Testimi i mjekëve është një ide e gabuar që vjen në kohën e gabuar. Imponimi antishkencor nuk e përmirëson dot sistemin shëndetësor. Edukimi në vazhdim i mjekëve është rruga e vetme dhe rruga e duhur që duhet ndjekur për të përmirësuar sistemin”, është shprehur ndër të tjera deputeti i LSI-së, z. Petrit Vasili. Por kundërshtimi kaq i fortë dhe i hapur i LSI, bashkëdrejtuese e mazhorancës aktuale, sa do të përfillet nga kryeministri Edi Rama? Mbetet të shohim nëse qeveria e drejtuar nga kreu socialist do të ulë kokën për t’i bindur kritikës dhe refuzimit të fortë të partisë së Ilir Metës, apo do ta sfidojë atë duke e çuar para planin për testimin e mjekëve.
















