|
Policia italiane ka arrestuar ditën e sotme një shtetas shqiptar, i cili dyshohet se kishte qëllime terroriste. Mediat italiane bëjnë të ditur se arrestimi i shtetasit shqiptar 30-vjeçar është kryer në aeroportin e Catanias teksa ai do të fluturonte drejt Londrës. Ai kishte blerë një biletë avioni Catania-Londër, të siguruar online me dokumente false, por është paraqitur në zonën e kontrollit me një biletë që shkonte drejt Bukureshtit. Pas kalimit të kontrollit, 30-vjeçari u ndalua teksa po tentonte të ngjitej në avionin që nisej drejt Londrës. Bëhet e ditur se shqiptarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, i është gjetur një USB që përmbante foto të tij me kallashnikov në dorë. Nga kontrolli i kryer më pas, rezulton se 30-vjeçari shqiptar është denoncuar më 13 janar nga autoritetet në Malpensa për shkak se ka tentuar të ngjitet në një avion që nisej drejt Londrës duke përdorur dokumente false. |















