Mbrëmjen e djeshme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për një takim konsultativ me drejtuesit më të lartë të institucioneve në vend. Në këtë takim janë të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtues të tjerë të disa institucioneve. Nishani tha se qëllimi i këtij takimi informues ishte trajtimi i një problematikave kryesore botërore si ajo e aktivitetit terrorist. Presidenti tha se çdo vend dhe çdo qytetar ndihet i rrezikuar ndaj është detyra e institucioneve që të vlerësojnë këtë rrezik global.
Nishani tha se duhet të vlerësohet kontributi i Shqipërisë, e cila është në aleancën botërore kundër terrorit, duke ofruar vullnetin e një shteti të lirë dhe duke kontribuar në luftën kundër terrorizmit. Presidenti tha se Shqipëria është ndeshur me fenomenin e luftëtarëve të huaj dhe kontingjente nga Shqipëria ndodhen në disa organizata terroriste në Irak dhe Siri.
“E konsideroj këtë takim mes institucioneve për të vlerësuar dhe për të marrë së bashku rekomandimet e nevojshme për të gjitha masat, dhe për të qenë në mënyrë të suksesshme operacional në këtë sfidë që është e hapur, prodhon terror, dhe siç e tregoi edhe rasti i fundit në Paris, nuk mund të na përçojë frikën, por ajo që ndodhi në ditët e më pasme tregoi kohezion të institucioneve të demokracisë, të shpirtit të lirisë, dhe kontributit për ta ruajtur këtë liri. Me krenari themi se Shqipëria ka dhënë kontribute krah këtyre vendeve aleate dhe sot kërkohet një angazhim institucional në një nivel të ri, në sfidën ndaj terrorizmit.”, u shpreh presidenti Nishani.
















