Në vendin ku u varros Heroi ynë Kombëtar, Bashkia e Lezhës organizoi sot një sërë aktivitetesh në nderim e përkujtim të figurës së lavdishme të Gjergj Kastriot Skëndërbeut, në ditën e 547 vjetorit të vdekjes. Krahas një numri të madh qytetarësh, të pranishëm ishin edhe Deputeti i Qarkut Lezhë, Gjovalin Kadeli, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Agostin Marku, ipeshkvi i Lezhës, Don Ottavio Vitale, dhe Imami i xhamisë Lezhë, Mois Shehu. Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë, Viktor Tushaj vlerësoi lart figurën e heroit tonë kombëtar, i cili e ktheu Lezhën në qendër të vëmendjes. Duke e cilësuar një strateg të luftës dhe profet i paqes, Tusha tha se: “Skëndërbeu për më tepër se një çerek shekulli u bë pengesa kryesore për shtrirjen e pakufizuar të fuqisë turke në ballkan, u bë shpata e shqiptarëve, mburoja e ballkanit, garda e europës. Lezha do të mbetet gjithmonë e lidhur me historinë e Skëndërbeut, si një monument i lavdisë, shkëlqimit dhe rënies së tij. Ky qytet nuk është vetëm vendi ku u varros Heroi, është panteon i lartë i urtësisë, trimërisë dhe lavdisë, vendi ku ai hodhi për herë të parë themelet e bashkimit politik të shqiptarëve. Më tej, Tusha tha se “historia e qytetit tonë është e lavdishme dhe kontributi i Lezhës për historinë dhe kulturën kombëtare ka vlera të mëdha. Ne, po përpiqemi të lëmë gjurmë në zhvillimin perspektiv të këtij qyteti, po vëmë gurët që na takojnë në murin e madh të zhvillimit të vendlindjes, të cilës i kemi borxh për t’i shërbyer e për ta bërë më të mirë, më të lulëzuar dhe më të begatë” Ai shtoi se “viti qe kemi filluar është me rëndësi kapitale për të ardhmen e Lezhës dhe të gjithë trevat përreth. Tashmë Lezha do të jetë një Njësi Vendore, një bashki me territor më të gjërë dhe popullsi më të madhe, megjithëse me një etni të bashkuar në tradita, interesa dhe në mënyrën e jetesës” Sipas tij, përgjegjësia për administrimin e Lezhës së ardhshme do të jetë me e madhe dhe vizioni për një qeverisje të drejtë do të jetë mision me përgjegjësi”. Përfaqësuesit e klerit kaltolik dhe mysliman, z. Vitale dhe z. Shehu theksuan rëndësinë e bashkimit dhe harmonisë midis njerëzve, si rruga e vetme e zhvillimit dhe progresit. Aktivitetin e pasoi koncerti i orkestrës simfonike luajtur nga të rinjtë e Fakultetit të Arteve.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















