“Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit” shkruar nga Peter Weiss, me regji të Arben Kumbaros është premiera që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar në vijim të sezonit artistik. Për këtë vepër premierë puna ka nisur prej disa javësh në Teatrin Kombëtar dhe në muajin mars shfaqja pritet të jetë në skenë. Regjisori Arben Kumbaro, një nga emrat më të vlerësuar të regjisë, ka nisur punën me aktorët për të sjellë dramën duke angazhuar një trupë jo të vogël aktorësh. Në skenë do të jenë aktorë të njohur, kor me artistë, që do të sjellin për publikun dramën që ka njohur suksese në botë. Më herët për këtë vepër janë kryer audicione dhe fituese për rolin e Charlotte Corday u shpall aktorja e njohur Luli Bitri, e cila me këtë premierë që sjell në skenë regjisori Arben Kumbaro ka dhe një rikthim të saj në teatrin shqiptar. E vlerësuar jo vetëm në skenën e teatrit, por dhe në kinematografi, Luli Bitri i bashkohet kastës së aktorëve që ka përzgjedhur regjisori Kumbaro për veprën e Weiss. Në dramën që pritet të vijë premierë dhe do të jetë e para këtë vit, pasi shfaqja “Tartufi” u shty në muajin maj, është një trupë me shumë aktorë ku ndërthuren brezat, por do të jetë në skenë këtë herë si aktor dhe drejtori i TK, Hervin Çuli.
Si aktor Çuli i kishte munguar skenës teatrore, por këtë herë regjisori Kumbaro i ka besuar rolin e Maratit. Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë dhe emra të tjerë të njohur të skenës si Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Helidon Fino, Flaura Kureta, Indrit Çobani, etj. Aktorët që janë pjesë e kësaj premiere që në muajin mars pritet të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar, gjatë kësaj kohe kanë spikatur me rolet e tyre dhe në shfaqje të tjera teatrore, por veçohet aktorja e njohur Luli Bitri dhe Hervin Çuli, të cilët i kanë munguar skenës. Dramë premierë në Teatrin Kombëtar vjen pas disa komedive të suksesshme, që janë shfaqur deri më tani në skenë për publikun, vepra që janë mirëpritur dhe janë vlerësuar në teatër. E ndërsa gjatë kësaj kohe trupa e aktorëve me regjisorin Arben Kumbaro po zhvillon provat për të qenë në skenë në muajin mars, sezoni i TK po vijon me një tjetër komedi që është prodhim i Teatrit Kombëtar. Vepra e autorit Weiss Vetë titulli i veprës tregon idenë e pazakontë që pati Peter Weiss në vitet 1963-1964, kur e shkroi këtë pjesë. Kemi të bëjmë me një teatër brenda teatrit, një dramë që luhet për publikun e shekullit të XX në çmendinë e Sharentonit afër Parisit, e drejtuar nga njëri prej pacientëve ose më saktë një i burgosur në Sharenton, markezi Donatien Alfons de Sad. Pas vrasjes së Maratit, më 13 korrik më 1793, ai mban fjalimin mortor mjaft elokuent, mirëpo e arrestuan po atë vit sepse kishte fshehur prejardhjen e vet dhe gjoja mbante lidhje me armiqtë e Revolucionit Francez. Doli një vit më pas, por pas disa vjet lirie u arrestua pas botimit të librit “Justinne”, dhe pjesën e fundit të jetës e kaloi në çmendinë e Sharentonit. Këtu vuri në skenë pjesë të vogla teatrale. Këto shfaqje marrin famë në shoqërinë e lartë të Parisit, e cila dëfrehet herë pas here me to.
Pikërisht këtë fakt historik mori përsipër Peter Weiss për ta paraqitur si krijim të Sadit dramën e tij në vargje, që është një mendim i hollë cinik-filozofik mbi revolucionin, mbi dhunën përmbysëse dhe idenë e socializmit mbi natyrën njerëzore, që nuk është në gjendje të ndërtojë sisteme të barazisë sociale, siç i ëndërron Marati. Drama ngrihet pikërisht mbi kundërvënien e Maratit si idealist, demagog, e të pamëshirshëm ndaj të pasurve ose kundërshtarëve të revolucionit, me de Sadin pesimist, ithtar të lirisë absolute të individit. Si shkrimtar Peter Weiss dallohet nga stili i ngjeshur dhe mendimi filozofik në gjuhën skenike të duket si vazhdues i teatrit të Brechtit.

















