Partia Demokratike ka rikthyer sërish në fokus superaksionin për lëndën narkotike, ndërsa ka bërë me dije se trafikantët janëfinancues të fushatës së Partisë Socialiste.
Deputeti Luçiano Boçi, me anë të një deklarate për mediat i ka bërë thirrje kryeministrit Rama të bëjë transparencë në lidhje me operacionin e drogës në Elbasan, duke u shprehur se Shqipëria u shndërrua në Kolumbi.
“Falë policive partnere, u arrit konstatimi dhe ndalimi i autorëve e sekuestrimi i laboratorit. Edi Rama dhe Saimir Tahiri nuk gjetën asnjë moment dje të tregonin të vërtetën, dhe as të falenderonin partnerët europianë, që jo vetëm sollën informacionin por dhe ndihmuan në suksesin e operacionit, kryesisht me faktin se mbajtën kontakte me një pjesë të strukturave tek të cilat ata kanë besim.
Ajo çfarë i mbeti qeverisë dhe autoriteteve tona ishte të bënin transparence dhe ti japin përgjigje pyetjeve të qytetarëve:
Si ka mundësi që ushtronte prej një viti aktivitetin një fabrikë e tillë, dhe autoritetet kishin mbyllur sytë e veshët?
A janë anëtarët e kësaj bande kriminale financues të fushatës së Partisë Socialiste?
A janë krerët e kësaj bande të lidhur me zyrtarët e lartë të partisë në pushtet dhe sponsorizues edhe në qëndrimet jashtë të funksionarëve të lartë, si përshembull në Bruksel?
A janë drejtuesit kryesorë të këtij grupimi kushërinj të afërt të ish-deputetit socialist, sot zëvendësministër i Ramës?
Mungesa e transparencës, mungesa e përgjigjeve i damkos ata si përgjegjës të shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi të drogës nga banditë të lidhur me qeverinë”, tha më tej ai.
















