Një grup studentësh protestuan sot para Ministrisë për Komunitet dhe Kthim, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa shkarkimin e ministrit, Aleksandër Jabllanoviq.
Ata, në oborrin e kësaj ministrie, kanë vendosur fotografi të të vrarëve dhe masakruarve gjatë luftës në Kosovë.
Gjithashtu kanë vendosur edhe mbishkrime se “Kosova nuk është Metohi, nuk është Serbi, Kosova është Republikë”.
Ata kanë vendosur edhe një fotografi të montuar me fytyrën e Jabllanoviqit, ku shkruhet “Jabllanoviq ‘i vogël’, këto janë masakrat që kreu shteti serb, mos i harro”.
Përfaqësuesi protestuesve të sotëm, Arian Janova, ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që ta shkarkojë ministrin Jabllanoviq nga pozita që aktualisht e mbanë.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Mustafa që sa më shpejtë ta shkarkojë ministrin Jabllanoviq”, ka thënë Janova.
Protestat për shkarkim e ministrit serb në Qeverinë Mustafa do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve tjera.
Nesër organizohet protestë nga familjarët e të zhdukurve nga lufta. Organizatorit i protestave të sotme, Janova, ka thënë se ky grup i studentëve do të merr pjesë edhe në protestat e nesërme të organizuara nga familjarët e të zhdukurve.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, ka ofenduar rëndë protestuesit në Gjakovë që nuk lejuan pelegrinët serbë të hyjnë në Kishë. Protestuesit e familjarëve të zhdukur ditë ai i quajti egërsira. Kjo deklaratë ka acaruar opinion kosovar, përfaqësuesit e partive politike, OJQ, studentët dhe shumë personalitete tjera kërkojnë dorëheqjen e ministrit serb, i cili shtetit të ri vazhdon ti referohet si Kosovo-Metohija.
Reagimi i parë erdhi nga subjekti më i madh politik lëvizja Vetëvendosje, e cila organizoi një protestë ndaj ministrit me moton: “Fashizmi i Serbisë nuk kalon”.
Ky subjekt paralajmëroi kryeministrin Isa Mustafa se nëse nuk e shkarkon Jabllanoviqin do të organizohen protesta masive ku do të kërkohet dorëheqja e tij.
Ndaj deklaratave të liderit të Listës Serbe ka reaguar edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreu i AAK-së ka kërkuar nga Jabllanoviq që t’u kërkojë falje nënave të familjarëve të të zhdukurve dhe të tërhiqet nga kjo deklaratë.
“Janë përgjegjësi e Qeverisë deklarimet e secilit nuk është mirë as një zyrtar i zgjedhur ta ofendojë askënd, veçanërisht nënat e viktimave. Është mirë t’i kërkohet falje nënave, është mirë të tërhiqet kjo deklaratë dhe të distancohen institucionet nga deklarimet e tilla”, deklaroi Haradinaj.
Përpos partive opozitare, reagimet kanë ardhur edhe nga protagonistë të dy partive në pushtet.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati ka befasuar me një deklaratë, duke thënë se ministri Jabllanoviq është dashur të kërkonte falje, në të kundërtën, ai është dashur të shkarkohej nga kryeministri Isa Mustafa.
“Lideri i fuqishëm në situata normale merr veprime normale, e vendimi është dashtë të jetë shkarkimi i tij. Mirëpo, ne nuk e dimë a gjendemi në situatë normale. Derisa nuk ka reflektim nga qeveria, unë mendoj se Jabllanoviq është dashur të kërkojë falje, pavarësisht nga sanksionimi që do të mund t’i bëhej”, ka thënë Ferati.
Edhe një tjetër deputete e pozitës, Blerta Deliu-Kodra, e quan fyese dhe ofenduese deklaratën e Aleksandar Jabllanoviqit ndaj nënave të të zhdukurve. Ajo thotë se të gjithë duhet të jenë në mbrojtje të nënave gjakovare.
“Në mbrojtje të nënave gjakovare! Deklarata e Jabllanoviqit është njëra prej deklaratave më fyese dhe ofenduese që u është bërë ndojëherë nënave të të zhdukurve. Para se t’i poshtëroj nënat tona, ministri duhet të kërkoj falje për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë, te kërkoj përgjegjësi për kthimin e shumë trupa të pagjetur në Kosovë dhe të distancohet nga e kaluara kriminale e Serbisë”, deklaroi ajo.
Vllasi: Jabllanoviq kërkon falje nëse këtë ia kërkon Vuçiqi
Edhe analisti I njohur kosovar, Azem Vllasi ka folur edhe për ofendimet të cilat i ka bërë ministri i Pushtetit Lokal, Aleksandër Jabllaniviq, protestuesve në Gjakovë, duke thënë se “po ta urdhëronte Vuçiqi, Jabllanoviqi do të kërkonte falje për deklaratat e tij të turpshme ndaj gjakovarëve”.
“Mungesa e një kërkim falje të sinqertë nga ana e Jabllnovicit, do të thotë që ‘Lista Serbe’ që ka hyrë në Kuvend dhe në Qeveri mund t’i provokojnë shqiptarë dhe askush nuk i merr në përgjegjësi. Nëse e vërejmë me kujdes do të shohim se Vuçiqi nuk do t’iu sugjerojë serbëve të Kosovës integrimin brenda institucioneve të vendit ku jetojnë, por do të kujdeset që t’iu premtoj përkujdesje për ta nga ana e shtetit serb, madje përmes deklaratave të tij synon që shqiptarët, nga ana e serbëve të Kosovë, të shihen si kundërshtarë dhe jo si bashkëqytetarë”, ka theksuar Vllasi.
Jabllanoviq nuk kërkon falje, kryeministri Mustafa kërkon të ulen gjakrat
Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jablanoviq ka thënë se kryeministri Mustafa asnjëherë nuk e ka thirrur për ta pyetur për deklaratën e tij kundërthënëse.
Ai Ka pohuar se nuk i ka ofenduar nënat gjakovare, por ata që kanë gjuajtur me gurë dhe se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje e as të ndalet së quajturi Kosovën me emrin “Kosovë dhe Metohi”.
“E kam thënë dhe po e përsëris. Nuk i kam quajtur të gjithë gjakovarët egërsira, por vetëm disa persona që kanë gjuajtur me gurë ndaj autobusëve të mbushur me serbë, që donin të vizitonin kishën serbe në Gjakovë, për Krishtlindjet Ortodokse”, u shpreh Jabllanoviq.
Pas gjithë këtyre reagimeve të ashpra, kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar që të zbuten fjalët, të ulen gjakrat, sepse kështu sipas tij nuk “ndreqim punë”.
“Nuk kemi aspak nevojë të zhvillojmë fushatë ndaj tre anëtarëve të qeverisë të komunitetit serb. Njëri prej tyre deri para disa ditësh ka qenë Kryetar i Komunës së Graçanicës, i zgjedhur me votat e qytetarëve dhe në procedura të organizuara dhe të mbikëqyrura nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Njerëzit e lindur dhe njerëzit që jetojnë në Kosovë kanë të drejtë të marrin përgjegjësi në institucionet e Kosovës”, deklaroi Mustafa.















