Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një deklaratë për mediat, u shpreh se lufta kundër paligjshmërisë, kriminalitetit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, nuk është nga më të lehtat por nuk është e pamundur të bashkohemi të gjithë për të mbrojtur vlerat tona më të mira. “Lufta kundër paligjshmërisë, kriminalitetit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, nuk është nga më të lehtat. Por nuk është e pamundur në qoftë se bashkojmë dijet dhe forcat tona, për të ruajtur paqen, sigurinë dhe vlerat tona më të mira, që sot kërcënohen nga dhuna dhe ekstremizmi i botës së krimit. Ne nuk pranojmë asnjë kompromis me asnjë lloj dhunë, asnjë shfaqje të kriminalitetit, asnjë formë pandëshkueshmërie”, – tha ministri. Ai tha se koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, si dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe çdo qytetari të rregullt e të ndershëm në këtë vend, është elementi themelor për të ndërtuar një Shqipëri të sigurt, ku dhuna, paligjshmëria dhe krimi parandalohen e luftohen nga ne, të gjithë bashkë pa përjashtim.
“Këto ditë, Policia e Shtetit po zbaton një regjim të përforcuar masash sigurie që synojnë parandalimin dhe luftën kundër dhunës dhe kriminalitetit. Dua të kërkoj mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari, që mund të kontribuojë për sigurinë e përbashkët duke mos neglizhuar asgjë, duke mos mbyllur sytë para kërcënimit të tjetrit, por duke shkëmbyer informacion menjëherë më policinë për çdo situatë që mund të përbëjë shkak për të marrë masa të menjëhershme për parandalimin dhe luftën kundër krimit”, – deklaroi Tahiri. Ai shprehu vendosmërinë e forcave të policisë për të mos lejuar që krimi të jetë përsëritës, për shkak të dështimeve të sistemit të drejtësisë. Sipas ministrit, lufta me dhunën, paligjshmërinë, krimin dhe ekstremizmin është objektiv madhor për të gatrantuar paqe dhe siguri. Edhe një herë ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve në këtë betejë të përbashkët, duke thënë se çdo informacion i vogël që shkëmbehet me policinë, është një investim i madh për sigurinë e përbashkët./a.s/noa.al Deklarata e plotë e ministrit Tahiri Jo vetëm ngjarjet e kronikës, por edhe më shumë se kaq, rreziku real prej kërcënimit të dhunës, kriminalitetit dhe terrorizmit ndaj vlerave të përbashkëta e lirive themelore të njeriut, duhet të na bëjnë të ndërgjegjshëm bashkërisht, për të luftuar së bashku të keqen që kërcënon të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Lufta kundër paligjshmërisë, kriminalitetit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, nuk është nga më të lehtat. Por nuk është e pamundur në qoftë se bashkojmë dijet dhe forcat tona, për të ruajtur paqen, sigurinë dhe vlerat tona më të mira, që sot kërcënohen nga dhuna dhe ekstremizmi i botës së krimit. Ne nuk pranojmë asnjë kompromis me asnjë lloj dhunë, asnjë shfaqje të kriminalitetit, asnjë formë pandëshkueshmërie. Por besojmë shumë fort se aftësia jonë, nga njëra anë e koordinimit dhe bashkëpunimit fare të ngushtë ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, së bashku me kontributin e të gjitha institucioneve të tjera ligj zbatuese, dhe nga ana tjetër e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe çdo qytetari të rregullt e të ndershëm në këtë vend, është elementi themelor për të ndërtuar një Shqipëri të sigurtë, ku dhuna, paligjshmëria dhe krimi parandalohen e luftohen nga ne, të gjithë bashkë pa përjashtim.
Ata që shkelin ligjin, që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve dhe sipërmarrësve, nuk dhunojnë e kërcënojnë vetëm individin, por shoqërinë, institucionet dhe vlerat tona të përbashkëta në tërësi. Dhe kush bën gabimin ta shohë krimin me preferencë apo ndasi, me të tyret apo tanët, të këtij apo atij, apo akoma më keq kush fut politikën në mes të betejës sonë të përbashkët, të institucioneve dhe qytetarëve, me krimin, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm i ka dhënë mbrojtje, frymëmarrje e nxitje botës së dhunës e krimit, që ndër ne nuk mund e nuk duhet të gjejë asnjë çarje e as dallim. Këto ditë, Policia e Shtetit po zbaton një regjim të përforcuar masash sigurie që synojnë parandalimin dhe luftën kundër dhunës dhe kriminalitetit. I gjithë efektivi i forcave speciale, të gjitha repartet, janë në gatishmëri të zgjatur, pa afat, me prezencë të shtuar në mjedise publike dhe akse rrugore, kontrolle të personave, mjediseve dhe mjeteve që sipas të dhënave paraprake apo analizës së riskut, përbëjnë potencial për kërcënim ndaj sigurisë. Eshtë përforcuar kontrolli në pikat e kalimit kufitar dhe po kështu i të gjitha shërbimeve policore. Janë organizuar dhe janë tashmë operative shërbime civile, të hapura dhe të fshehta, në zona urbane ose jo, me kujdes të veçantë mjediset publike, arsimore dhe social kulturore. Ndaj dua të kërkoj mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari, që mund të kontribuojë për sigurinë e përbashkët duke mos neglizhuar asgjë, duke mos mbyllur sytë para kërcënimit të tjetrit, por duke shkëmbyer informacion menjëherë më policinë për çdo situatë që mund të përbëjë shkak për të marrë masa të menjëhershme për parandalimin dhe luftën kundër krimit. Informacion për çdo njeri që mund të kërcënoj sigurinë, për çdo makinë të dyshimtë, për çdo mjedis, lokal apo tjetër, që nxit shqetësim e dyshim, çdo e dhënë që mund të kërcënojë normalitetin e jetës tuaj e të fëmijëve tanë, raportojeni në polici. Vetëm kështu mund të parandalojmë dhe luftojmë kriminalitetin të gjithë bashkë. Ndërkohë, jam shumë i bindur se këto masa të reja të Policisë, do të rrisin gatishmërinë dhe bashkëpunimin e prokurorisë dhe sistemit gjyqësor, duke luftuar bashkë me krimin, edhe korrupsionin që jo rrallë bëhet mburoja më e mirë e tij para sistemit të drejtësisë. Ajo që kemi kuptuar është se krimi riciklohet nga dënimet e vogla, prej të cilave përfitojnë ata që kërcënojnë shoqërinë nga dhuna dhe krimi.
Ndaj oficerët e policisë që merren me hetimin e çështjeve, oficerët e policisë gjyqësore, do të ndjekin me intensitet deri në trajtimin në gjykatë të të gjitha çështjeve, duke besuar se kështu përmbushet më së miri koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve për të vënë para ligjit ata që kërcënojnë sigurinë tonë të përbashkët. Do kërkojmë dënime maksimale për çdo vepër penale, veçanërisht ato që kërcënojnë më shumë shoqërinë, si armëmbajtja pa leje apo të tjera të ngjashme. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë që krimi të jetë përsëritës, për shkak të dështimeve të sistemit të drejtësisë. Lufta jonë me dhunën, paligjshmërinë, krimin dhe ekstremizmin është objektiv madhor për të gatrantuar paqe dhe siguri. Ndaj kërkoj dhe një herë bashkëpunimin e qytetarëve në këtë betejë të përbashkët. Çdo informacion i vogël që shkëmbeni me policinë, është një investim i madh për sigurinë e përbashkët. Faleminderit!
















