Pasi u konfirmua edhe nga vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha se gjatë kohëve të fundit ka marrë mesazhe të shumta kërcënuese, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar Policisë së Shtetit mbrojtje të posaçme për liderin demokrat si dhe për deputeten Voltana Ademi. Policia, nga ana e saj, bën me dije se nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Prokuroria. Sipas Policisë, ka qenë shefi i sigurisë së Lulzim Bashës, ai i cili, nëpërmjet dërgimit të një shkrese në Gardë, ka kërkuar efektivë shtesë për mbrojtjen e kreut të PD.
Mësohet se katër dedektivë të njësisë GOS do të vihen në mbrojtje dhe ruajtje të Lulzim Bashës. Gjatë ditës së sotme, në një konferencë për mediat, zoti Basha vërtetoi edhe një herë zërat që qarkullonin kohët e fundit, mbi kërcënimet që kryedemokrati kishte marrë. Më herët ishte deputetja e Partisë Demokratike, Voltana Ademi, ajo që iu drejtua Prokurorisë, duke denoncuar mesazhin që i kishte mbërritur në celular nga ana e Emiljano Shullazit, në drejtim të Lulzim Bashës.
















