Për Fleckenstein, vendi ynë është në drejtimin e duhur sa i takon zbatimit të reformave dhe nisjes së plotësimit të 5 prioriteteve. Në një deklaratë për mediat, ai nënvizoi se procesi i Integrimit Europian nuk mund të përmbushet gjatë mandatit të një qeverie të vetme, por është një proces afatgjatë.
Reporteri i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein e vuri edhe një herë theksin tek plotësimi i sfidave dhe prioriteteve kryesore. “Qeveria ka filluar të zbatojë ligjet, ne e shohim këtë. Është e rëndësishme që të veprohet në mënyrë të ligjshme. Ne shohim hapat e para, përpjekjet dhe sfidat. Vendi është në drejtimin e duhur dhe për ne ky është një lajm i mirë”, tha ai.
Më tej ai shtoi se nuk ka ardhur si arbitër dhe as si mësues në vendin tonë, ndaj këshilloi të mos e shikojmë si të tillë, pasi kjo është një përqasje e gabuar. “Është i rëndësishëm ndryshimi i kulturës politike, për tu realizuar një frymë bashkëpunimi dhe komunikimi.
Fuqizimi i shoqërisë civile është shumë i rëndësishëm, ndaj shpresoj që në të ardhmen të ketë një Këshill Kombëtar për integrimin kombëtar në vend, i cili do të jetë një forum ku do të marrin pjesë përfaqësues nga fusha të ndryshme, në mënyrë që rrugëtimi për në BE të jetë në rrugën e duhur”, tha më tej ai.
Duke i’u referuar procesit të integrimit, sipas tij “duhet që faktorët politikë të punojnë në mënyrë konstruktive. Politikanët duhet t’ju shpjegojnë qytetarëve se çfarë i sjell anëtarësimi në BE vendeve tona dhe çfarë duhet të bëjnë njerëzit që te jetë një proces i suksesshëm”.
“Forcimi i shtetit të së drejtës është i rëndësishëm dhe kjo lidhet me luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Liria e medias është një çështje tjetër e rëndësishme. Kjo nuk varet vetëm nga qeveria, por edhe nga presioni ekonomik. Është e rëndësishme që të ekzistojë një konsensus kombëtar për përfshirjen e shoqërisë civile”.















