Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka lënë pas atmosferën festive dhe ka publikuar mesazhin e parë politik për këtë vit, duke thënë se qeveria po e shtyn vendin në drejtimin e gabuar. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Basha shprehet se nga viti në vit po shtohet skamja, po rrënohen të varfrit, po rrënohen shpresat e tyre që janë punëdhënësit.
“Nga 1 Janari 2015 u rritën me 50% taksat për biznesin, qeratë dhe tatim fitimin. E keqja nuk ndalet. Një vit më parë taksa progresive goditi njerëzit më të aftë- profesionistët e çdo fushe. Për të dytin vit radhazi shtresa e mesme po shkon drejt eleminimit progresiv. Po zhbëhet gjithçka që u ngrit me sakrifica në dy dekada. Në vendet e zhvilluara njerëzit me të ardhura mesatare arrijnë deri në 60% të shoqërisë. Ky është edhe trendi global, dhe jo më kot. Shtresa e mesme është sinonim i sipërmarrjes, investimit, rritjes ekonomike dhe punësimit. Shtresa e mesme është garanti i demokracisë, i lirisë dhe mirëqënies. Kjo shtresë duhet mbrojtur dhe konsoliduar me çdo kusht”, shkruan kreu i PD. Më tej Basha thotë se në vendet e oligarkeve të lindjes si dhe në regjimin Rama-Meta, ajo sulmohet me taksim të pandershëm dhe presion politik, si dhe synohet eleminimi i saj dhe varësia totale e individit nga qeveria.
Kreu i opozitës e cilëson situatën si një rrezik real, dhe kërkon reagim. Ai e mbyll qëndrimin e tij me fjalët, “Duhet të mbrojmë arritjet e shoqërisë dhe ekonominë kombëtare. Sot mund ta ndalim të keqen- nesër mund të jetë vonë…”.
















