Pesë persona janë arrestuar ditën e sotme nga policia pasi akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, ndërkohë që janë shpallur në kërkim 5 të tjerë. Burime zyrtare pohojnë se në të gjithë vendin gjatë ditën e sotme kanë vepruar 91 grupe të përbashkëta polici–OSHEE dhe janë kryer kontrolle në 1.755 raste.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 11 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 11 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 5 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Janë shpallur në kërkim 5 persona, si dhe ndiqet në gjendje të lirë 1 person.
Po gjatë ditës së sotme janë ndërprerë 581 lidhje të abonentëve debitorë dhe 11 lidhje të paligjshme. Gjithashtu po sot janë kontrolluar 73 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
















