Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi prishjen e vendimit dhe rikthimin për rigjykim, me një tjetër trup gjykues, çështjen kundër shtetasit Dritan Dajti. Dajti është i akuzuar për vrasjen e 4 punonjësve të policisë dhe një shtetasit tjetër, vepra për të cilat në përfundim Gjykata për Krime të Rënda e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me “burgim të përjetshëm”. Për Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, Gjykata e Apelit ka marrë vendim në kundërshtim me ligjin procedural, si edhe nuk ka marrë parasysh praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në një tjetër çështje, pikërisht në një rast kur një shtetas shqiptar ankohej pranë asaj gjykate për të njëjtin argument. Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, në vendimin e saj, argumenton vendimin për prishjen e vendimit dhe rikthimin e çështjes në shkallë të parë, me argumentin se “konstatohen shkelje te renda procedurale ne lidhje me sigurimin e mbrojtjes se te pandehurit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, duke shkelur kërkesat e nenit 49 K.Pr.Penale, si dhe përcaktimet e nenit 378 K.Pr.Penale për zhvillimin e diskutimeve përfundimtare”. Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda, në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës së Lartë, e shpreh kundërshtimin e saj për vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në dy pika: Së pari, nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda janë ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe procedurialë për respektimin e parimit të mbrojtjes së të pandehurit. I pandehuri ka pretenduar se nuk ka pasur mundësi financiare që të paguajë mbrojtës dhe për këtë arsye, nga ana e gjykatës është kërkuar të caktohet avokat kryesisht. Por, pavarësisht se është ezauruar e gjithë lista e avokatëve penalistë të Dhomës së Avokatisë, asnjë prej tyre nuk mori përsipër mbrojtjen e të pandehurit, ku shumica e tyre kanë paraqitur justifikime joligjore, për të cilat gjykata ka vënë në dijeni instancat përkatëse, si Ministrinë e Drejtësisë, KLD, etj. Pasi u ezaurua lista e avokatëve, madje duke u rithirrur, atëherë, gjykata iu drejtua Komisionit Shtetëror për Ndihmë Juridike, një strukturë që paguan avokatët e zgjedhur nga të pandehurit që nuk kanë mundësi financiare. Kjo alternativë nuk u shfrytëzua nga ana e të pandehurit, i cili nuk zgjodhi asnjë mbrojtës, pavarësisht se avokati do të paguhej nga ana e Komisionit Shtetëror për Ndihmë Juridike. Pra, Prokuroria e Apelit e Krimeve të Rënda Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda i ka plotësuar detyrimet e veta për sigurimin e mbrojtjes së të pandehurit, por ky i fundit ka hequr dorë nga e drejta e tij e mbrojtjes. Pra,, gjykata nuk mund të mbajë përgjegjësi për neglizhencën apo abuzimin që i pandehuri ka treguar më se qartazi se nuk dëshironte të përfitonte nga e drejta për të patur mbrojtje ligjore Së dyti, në argumentet e saj kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria risjell në rekursin e saj edhe vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (ankimi nr. 74727/01), datë 16 qershor 2005, vendimi i bërë përfundimtar në datë 30.11.2005, në çështjen Balliu kundër Shqipërisë. Ankimi i qytetarit shqiptar në GJEND ishte paraqitur me të njëjtat argumente të cilat ka përdorur Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda për të prishur vendimin dhe për ta rikthyer për rigjykim çështjen kundër të pandehurit Dritan Dajti. Në vendimin e saj, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, duke argumentuar se në dispozicion të ankuesit kishin qenë mundësitë për të zgjedhur mbrojtësin dhe kjo mundësi nuk ishte shfrytëzuar, ajo gjykatë është shprehur se “GJEND çmon se në tërësi procesi penal kundër ankuesit nuk mund të konsiderohet si i parregullt”.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















