Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkruar sot në faqen e tij zyrtare të Facebook se fermerët korçarë ndodhen në ditën e tyre më të keqe, pasi Rama dhe Meta nuk kanë krijuar asnjë lehtësi për ta, ndryshe nga sa premtuan.
Basha tha se fermerët janë në krizë dhe i ka bërë thirrje qeverisë të mos shkelë mbi punën e mijëra familjeve.
“Fermerët janë në krizë, bujqësia është para kolapsit. Ndërsa kryeministri shkrihet me papagajtë e tij. Thirrini mendjes zotërinj qeveritarë! Mos shkelni mbi punën, djersën dhe sakrificën e mijëra familjeve. Njerëzve ju ka ardhur laku në fyt. Durimi i popullit po soset”, ka shkruar Basha në FB.
Ai tha se çmimi i naftës, i plehrave, i farërave dhe pesticideve është rritur. “Fermerët e Korçës në ditën e tyre me te keqe. Rama-Meta premtuan subvencione dhe lehtësira por asgjë nuk bënë. Çmimi i naftës, i plehrave, i farërave dhe i pesticideve është rritur. Kostoja e prodhimit më e lartë se kurrë. Fuqia blerëse ka rënë”, deklaroi Basha.
Kreu i demokratëve akuzoi qeverinë se po mbush xhepat me importet korruptive dhe prodhimet e fermerëve po kalben.
“Importet korruptive po mbushin xhepat e qeveritarëve, ndërsa qindra mijë ton mollë, patate, fasule, qepë e prodhime të tjera bujqësore të fermerëve shqiptare po kalben. Miliona dollarë dëme për fermerët dhe familjet e tyre. Cikli i ri ë kultivimit po nis por fermerët nuk kanë me se ti blejnë farërat, plehrat dhe naftën. Në një vit janë kthyer mbrapa sa për 10 vjet”, ka thënë Basha.
















