Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, e ka parë me sy kritik, qëndrimin e Qeverisë ndaj integrimit europian. Sipas saj, “duke se deklarata e Brukselit se për 5 vjet nuk do të ketë zgjerim me një vend tjetër, ishte një lloj komoditeti për mazhorancën,” pasi “këtu e 5 vjet do të shohim”. Por, për këtë çështje, kreu i Delegacionit të BE-së, Clive Rumbold ka bërë të qartë se integrimi është përgjegjësi e të dyja palëve, mashorancës dhe opozitës.
Deklarata është bërë në një konferencë “Anëtarësimi në BE: Një dejavu e e para krizës:, organizuar nga IDN-ja, ku të ftuar ishin dhe krerët e organizmave europiane në Tiranë.
“Kam frikë se Qeveria nuk e mendon si prioritar, procesin e integrimin, – tha Bregu në fjalën e saj, – edhe për faktin se është hequr nga axhenda e diskutimeve të përditshme. Ju kujtoj vetëm një rast, rastin e Progres Raportit, që u kalua me një indiferencë të madhe nga Qeveria dhe nuk besoj se ju dëgjoni sot artikulim për çështje që kanë të bëjnë me çuarjen përpara të procesit të integrimit europian. Duket se deklarata e Brukselit se për 5 vjet nuk do të ketë zgjerim me një vend tjetër, ishte një lloj komoditeti për mazhorancën, për të thënë që nuk kemi asnjë afat kohor , prandaj të vazhdojmë të bëjmë së brendshmi çfarë duam dhe këtu e 5 vjet do të shohim; deri atëherë na ka mbaruar edhe mandati politik.”
Në këtë konferencë, një mesash dha edhe kreu i Delegacionit të BE-së, Clive Rumbold, i cili deklaroi se përgjegjësinë për procesin e integrimit e kanë të zgjedhurit të të dyja krahëve, pa dallim.
“Ne jemi këtu që t’ju ndihmojmë për një nivel dialogu të lartë, në mënyrë që të avancojnë reformat e pikërisht puna duhet bërë nga ju; përgjegjësia për ta çuar përpara programin e reformave i mbetet të zgjedhurve, mazhorancës dhe opozitës. Integrimi nuk është thjesht për të nxitur debatin politik, por prej tij varet e ardhmja,”- nënvizoi ai.
















