Më 18 dhjetor është seanca përmbyllëse e sesionit parlamentar për 2014-ën, ditë kjo që përkon edhe me vizitën e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga në Shqipëri. Mediat kosovare e shohin vizitën e Presidentes së tyre si një ogur të mirë për rikthimin e opozitës shqiptare në Parlament, e cila i ka ndërprerë marrëdhëniet me Kuvendin. Por, cilat janë skenaret e mundshme.
Neni 71 i Kushtetutës parashikon që mandatet e deputetëve digjen nëse mungojnë 6 muaj në punimet e Kuvendit, në rastin e opozitës ky afat skadon ne 10 janar, por Parlamenti në kalendarin e punimeve ka parashikuar të mblidhet deri në 18 dhjetor afati ky i fundit për demokratët që të vendosin në lidhje me mandatet.
Aleatët e demokratëve, konfirmojnë për “News24” praninë e tyre në seancën e fundit plenare në respekt të Presidentes së Kosovës, ndërkohë ende nuk ka një vendimmarrje zyrtare nga selia blu. “News24” ka mësuar gjithashtu se ky do ishte një skenar që do i jepte mundësinë demokratëve të riktheheshin në Parlament për të shpëtuar mandatet dhe për të vijuar edhe më tej bojkotin.
Një tjetër zhvillim i cili do të rikthente në normalitet jetën parlamentare janë takimet që kryeministri vendit dhe lideri i opozitës kanë zhvilluar ditët e fundit me përfaqësues të lartë të Parlamentit Europian, ku palët janë angazhuar për të gjetur rrugët e rikthimit të opozitës në jetën parlamentare. Brukseli jep sinjale optimiste se diçka po lëviz për të siguruar praninë e opozitës në Parlament, përpara djegies së mandateve të opozitës, megjithëse peshën kryesore të vendimit e ka klasa politike shqiptare.















