Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel, mori pjesë në kongresin e 27-të CDU-së që u zhvillua në Këln. Ai e uroi për rizgjedhjen për herë të tretë në krye të CDU, dhe e konsideroi atë shembull frymëzimi për çdo lider që synim të punës dhe aktivitetit politik ka zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që kancelarja Merkel i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe europian dhe në procesin e liberalizimit të vizave, ku qëndrimi i Gjermanisë ishte vendimtar për Shqipërinë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë mbështetjen e drejtuesve të lartë të CDU-së për përpjekjet e PD në mbrojtje të standardeve demokratike të arritura në Shqipëri. Në takimet që kryetari i Partisë Demokratike ka pasur me drejtues të lartë të CDU, Partisë Popullore Europiane dhe të institucioneve të BE është shprehur shqetësimi për gjendjen e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. PD informon se bashkëbiseduesit u shprehën se cenimi i pavarësisë së institucioneve, moszbatimi i vendimeve të gjykatave dhe sjellja në kundërshtim të hapur me normat e shtetit ligjor janë të papranueshme për vendet demokratike dhe veçanërisht për vende që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Ata shprehën mospajtimin e tyre të plotë për infiltrimin në administratë dhe në Kuvend të personave të inkriminuar, të cilët përdorën dhunën dhe kërcënimet për të sulmuar opozitën në parlament, me skenarë të orkestruar. Basha deklaroi se pavarësisht krizës së rëndë parlamentare dhe të demokracisë në vend si rezultat i veprimeve të dyshes Rama-Meta, Partia Demokratike është angazhuar fuqishëm për të gjetur rrugët e rikthimit të kushtetuetshmërisë dhe normalizimit të jetës parlamentare. Në këtë kuadër edhe në Këln bashkëbiseduesit diskutuan mbi propozimet e Partisë Demokratike për një marrëveshje politike shumicë – opozitë që do i jepte fund shkeljes së Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mohimit të instrumenteve të mbikqyrjes parlamentare si dhe do të adresonte çështjen e mprehtë të mekanizmit që promovon krimin deri në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se pavarësisht përpjekjeve të opozitës, dyshja Rama-Meta ka refuzuar deri tani çdo angazhim në këtë drejtim, duke pretenduar herë se nuk ka dijeni për çështjet e ngritura nga opozita e herë se kushtet e opozitës tashmë qenkan plotësuar. Sipas tij, kjo mungesë reflektimi nga drejtuesit e shumicës është një tregues i mungesës së deritanishme të vullnetit politik nga kryeministri Rama për të marrë përgjegjësinë që i takon për këtë situatë të krijuar në vend. Nga ana tjetër, kreu i opozitës vlerësoi dhe mirëpriti angazhimin e përfaqësuesve politikë të së djathtës dhe të majtës në Parlamentin Europian, të cilët duke vlerësuar me shqetësim situatën politike në Shqipëri kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në adresimin e krizës parlamentare në vend. Intensifikimi i bashkëpunimit mes PD dhe CDU ishte temë e rëndësishme e takimeve të kryedemokratit a me drejtues të lartë të kristian – demokratëve gjermanë. Kryetari i PD dhe drejtues të CDU dhe Fondacionit Konrad Adenauer kanë diskutuar mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen për Partinë Demokratike dhe rolin e saj në integrimin europian të Shqipërisë. Projekte konkrete në drejtim të trajnimit dhe zgjerimit të kapaciteteve të Partisë Demokratike si dhe hartimit të një programi në funksion të alternativës fituese për Partinë Demokratike janë prioritetet e bashkëpunimit mes dy partive simotra PD dhe CDU.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















