Shkruan: Dionis Xhafa
Maqedonia nuk është Republikë e maqedonasve, por është republikë multietnike, e banuar nga dy etni shtet-formuese maqedonasit dhe shqiptarët, si dhe nga minoritarë të të tjerave komuniteteve etnike apo racore.
Stema e propozuar për Republikën
Stema e propozuar për shtetin e Maqedonisë, ajo e një koke luani, simbol që dashje apo pa dashje i përngjet simbolit të partisë në pushtet të Nikola Gruevskit, mund të shihet qartazi edhe si politizim i shtetit.
Situata duket të jetë aq kritike sa partia në pushtet, VMRO-ja tenton të politizojë skajshmërisht shtetin deri në përfaqësim simbolesh shtetërore.
Simboli shtetëror gati i njëjtë me atë partiak në fuqi rrit fuqinë politike të pushtetit, që tenton deri të barazohet me fuqinë e shtetit.
Arsyeja kryesore se përse tentohet të bëhet një një gjë e tillë, ka gjasa të shumta të jetë për shkak të ruajtjes të identitetit maqedonas dhe emrit të shtetit të Maqedonisë, misione që “i ka marrë përsipër pikërisht VMRO-ja e Gruevskit.
Si duket, në vijim të politikave të ruajtjes me çdo kusht të identitetit maqedonas, për të mos humbur në kontestin e emrit me Greqinë, përpos projektit grotesk “Shkupi 2014”, po gjenden edhe të tjera mënyra alternative nacionaliste, e ndër këta duket të jetë dhe ky simbol.
Stema e Maqedonisë dhe shqiptarët
Historianët, duke folur për çështjen në fjalë kanë thënë se luani, përjashto përdorimet lokale në disa fise ilire, nuk ka qenë ndonjëherë simbol përfaqësues ndër shqiptarë etnikë.
Kaq mjafton për të thënë se stema në fjalë përjashton etninë e dytë më të madhe në vend dhe etninë, që sipas MO-së, është etni shtet-formuese.
Shqiptarët në këtë mënyrë ndihen simbolikisht të papërfaqësuar, sikundër edhe minoritetet turke, serbe, torbeshe etj.
Bullgaria, bullgarët dhe stema e Maqedonisë
Ndaj stemës së Republikës të Maqedonisë reaguan edhe mediat bullgare. “Telegraf” shkruante se stema është simbol i Mbretërisë së Dytë Bullgare, duke e cilësuar rastin si përvetësim të padrejtë të historisë.
Shteti bullgar, njëjtë sikundër edhe Greqia “ka probleme” me Maqedoninë, duke akuzuar Shkupin se i ka përvetësuar historinë dhe mbi identitetin e maqedonasve.
Ngjan se partia e Gruevskit, duke parë “agresionin” nga Sofja dhe Athina ka motorrizuar së brëndshmi nacionalizmin, duke e parë këtë të fundit si pikë shpëtimi për Maqedoninë, pse jo edhe për pushtet personal.















