Komiteti i përhershëm i Konventës së Bernës pranë Këshillit të Evropës do të kontrollojë nëse ka shkelje të dispozitave gjatë projekteve për ndërtimin e 18 projekteve hidro-energjetike të Maqedonisë, ku bie në sy i ashtuquajturi “hec i Fushës së Lukovës”, i cili s’është tërhequr megjithë refuzimin e prerë të popullatës shqiptare në Maqedoni
Komiteti i përhershëm i Konventës së Bernit pranë Këshillit të Evropës (KE) ka hapur rast për hidrocentralet e planifikuara në parkun nacional “Mavrovë”. Komiteti do të kontrollojë nëse ka shkelje të dispozitave nga kjo konventë gjatë sjelljes së vendimeve për ndërtimin e 18 projekteve të planifikuara hidroenergjetike dhe ndikimin e tyre në territorin e parkut, përfshirë edhe Urën e Boshkut dhe Fushën e Llukovës, kumtuan nga shoqatat Eko-vetëdija he Fronti 21/42 gjatë takimit të martën me gazetarë. Sipas Ana Çolloviq-Leshkoska nga Eko-vetëdija, procedura pra Komitetit të përhershëm filloi në mars të vitit 2013, kur nga ana e shoqatave qytetare ekologjike të Maqedonisë u parashtrua ankesa për shkelje të katër dispozitave nga Konventa e Bernit. “Komiteti i përhershëm gjeti bazë dhe arsyetim për pohimet tona se rrëqebulli i Ballkanit është nën rrezik me zbatimin e Urës së Boshkut dhe hidro-projekteve të tjera. Komiteti kumtoi se do të zbatojë analizë të vet në vetë parkun nacional në mënyrë që ta konstatojë shkallën e rrezikut për biodiversitetin nga ana e këtij projekti”, tha Çolloviq-Leshkoska. Ajo theksoi se pasi ekspertët e emëruar nga ana e Komitetit të përhershëm do të kryejnë vlerësim të projekteve të planifikuara në parkun nacional “Mavrova”, do të përgatiten rekomandime të cilat do të jenë obliguese për Maqedoninë. Ndërkohë, “Elektranat e Maqedonisë”, nëpërmjet një komunikate drejtuar mediave, ka informuar se prej fillimit të punëve përgatitore për realizmin e projekteve “Ura e Boshkut” dhe “Fusha e Llukovës”, më se profesionalisht dhe në pajtim me të gjitha standardet ekzistuese ndërkombëtare dhe politikat e Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim dhe të Bankës Botërore, ndërmori një sërë aktivitetesh për vlerësim të ndikimit të atyre objektve energjetike ndaj mjedisit jetësor, thonë nga kompania. “Të gjitha aktivitetet po zhvillohen me dinamikën e paraparë në pajtim me rregullativën vendore dhe rregullat e BERZH-it. Gjatë vitit 2012 dhe 2013 është bërë edhe monitorimi njëvjeçar ekologjik në territorin e elektranës së ardhshme me të cilin janë paraparë edhe miratuar masa plotësuese për mbrojtjen dhe minimizimin e ndikimeve të padëshiruara nga projekti. Raporti nga monitorimi i biodiversitetit dhe të mjedisit jetësor së bashku me raporte të tjera shoqëruese janë parashtruar deri në Ministrinë e resorit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe për të nga asnjëra palë e interesuar nuk kanë arritur vërejtje në afatin e paraparë ligjor”, theksojnë nga ELEM. Në komunikatë gjithashtu theksohet se për momentin, po realizohen edhe aktivitete të cilat gjithashtu janë definuar në pjesën e mbrojtjes së llojllojshmërisë biologjike dhe menaxhimit të qëndrueshëm me resurset natyrore. Lidhur me “Fushën e Llukovës” në këtë moment, thuhet në komunikatë, në fazë të fundit hyri përpunimi i studimit për vlerësim të ndikimit ndaj mjedisit jetësor në të cilin po punon kompania me renome botërore nga Franca dhe ai pritet të finalizohet deri nga fillimi i vitit 2015. “Në bazë të rregullativës ligjore, më pas vijon publikimi i studimit, grumbullimi i vërejtjeve nga ana e të gjitha subjekteve të prekura dhe mbajtja e debatit publik. Gjithashtu, studimi do të mbahet në gjuhën shqipe dhe greke, për arsye se Republika e Shqipërisë dhe ajo e Greqisë e konfirmuan pjesëmarrjen në debatin publik. Studimi do të arsyetohet hollësisht duke i marrë parasysh të gjitha aktivitetet eplanifikuiara për ndërtimin e ndërhyrjeve dhe objekteve të cilat do të kenë ndikim ndaj mjedisit jetësor, biodiversitetit dhe për to do të prezantohen masat e parapara për uljen e ndikimit ndaj mjedisit jetësor”. “Në bashkëpunim me BERZH-in, Bankën Botërore dhe institucionet kompetente në Republikën e Maqedonisë, SHA ELEM është i përkushtuar fuqimisht në realizimin e këtyre projekteve të rëndësishme energjetike në pajtim me të gjitha direktivat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Kompania edhe më tej mbetet transparente dhe e hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe subjektet e prekura lidhur me çështjet për aktivitetet rrjedhëse dhe të ardhshme për projektet ‘Ura e Boshkut’ dhe ‘Fusha e Llukovës’”, potencojnë nga ELEM.















