Partia Demokratike (PD) duket se ka gjetur një mënyrë për të mos humbur mandatet dhe për të vijuar bojkotin e Parlamentit duke eleminuar pasojat e kushtit gjashtëmujor të prezencës në sallë.
Zgjidhja është “gatuar” në Prishtinë, shkruan në numrin e sotëm gazeta “Dita” në Shqipëri.
Një burim në Ministrinë e Jashtme në Kosovë, i ka konfirmuar mbrëmë gazetës se do përdoret një vizitë e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për t’i dhënë PD-së mundësinë të kthehet në Parlament vetëm për një ditë, pikërisht në periudhën që përkon me skadimin e mandateve.
“Presidentja e Kosovës do vijë në Shqipëri më 17 dhe 18 dhjetor. Në fund të vizitës së saj më 18 dhjetor ajo do të mbajë një fjalë në Parlamentin e Shqipërisë. Aty do të jenë edhe deputetët e PD-së, si “shenjë respekti” për fjalën e zonjës së Kosovës”, thotë burimi.
Pas saj ata do të kenë të drejte të rrinë edhe gjashte muaj jashtë parlamentit, pa ua hequr mandatet. Vizitën e Jahjagës në Tiranë e ka konfirmuar mbrëmë për gazeten edhe protokolli i Presidencës në Kosovë. Edhe fjala e saj në Parlament është e konfirmuar thuajse zyrtarisht.
















