Në kompjuter, përkrah mësuesve u gjetën emërtimet e subjekteve politike dhe emra politikanësh
Analizimi i dokumentacionit të sekuestruar nga Prokuroria e Lushnjës në zyrat e Zyrës Arsimore të këtij rrethi, si edhe përgjimet e kryera ndaj ish-drejtoreshës Liza Tabaku dhe bashkëpunëtorëve të saj të dyshuar, kanë nxjerrë në pah fakte të reja lidhur me aferën korruptive të ndodhur gjatë harkut kohor njëvjeçar, kur e prangosura drejtonte këtë institucion. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Prokurorisë së Lushnjës, të cilat pohuan se në një kompjuter të sekuestruar janë gjetur formularë ku figuronin lista me emra të mësuesve të emëruar në vende pune provizore prej Tabakut. Ndërkohë, nga përgjimet janë identifikuar tre sekserët e dyshuar që u merrnin paratë punëkërkuesve, një prej të cilëve edhe Rigert Zeneli, që u prangos së bashku me djalin e Liza Tabakut, Xhanluka Tabaku.
Listat
Nga burimet, mësohet se gjatë periudhës që Tabaku ka drejtuar Zyrën Arsimore të Lushnjës, janë emëruar provizorisht rreth 70 mësues. Nga verifikimet paraprake të organit të akuzës është konstatuar se të emëruarit e deritanishëm kanë nisur punën si mësues pa asnjë procedurë konkurrimi. Ndërkohë, mësohet se përkrah çdo emri mësuesish që janë futur në punë, janë shënuar emra deputetësh dhe të subjekteve politike. Burimet e akuzës nuk kanë bërë të ditur emrat e politikanëve në fjalë, duke theksuar se hetimi është ende në fazën paraprake. Ndërkohë, mësohet se gjatë kohës që Tabaku ka qenë në survejim e në përgjim janë konstatuar raste të ushtrimit të trysnisë nga persona me suport politik, të cilët kërkonin emërime në arsim për llogari të tyre.
Përgjimet
Hetimi dymujor ndaj aferës korruptive që ndodhte në Zyrën Arsimore të Lushnjës ka zbardhur skemën me të cilën titullarja e këtij institucioni së bashku me persona të tjerë dyshohet se shtrëngonin mësuesit dhe kandidatët për mësues që të jepnin para në këmbim të vendit të punës. Nga burime të gazetës mësohet se nga përgjimet e bisedave telefonike dhe ato ambientale janë ngritur dyshimet se Tabaku ka bashkëpunuar me tre persona, të cilët luanin rolet e ndërmjetësve me mësuesit që duhej të largoheshin nga puna apo ata që kërkonin të emëroheshin. Të njëjtat burime shtojnë se nga bisedat e zhvilluara mes Tabakut dhe sekserëve të dyshuar është konstatuar një bashkëpunim mjaft konfidencial ndërmjet tyre. Një nga këta tre persona rezulton të jetë mësuesi i fizkulturës, Rigert Zeneli, i cili u kap në flagrancë teksa i dha një shumë parash djalit të Liza Tabakut. Burimet shtojnë se janë edhe dy persona të tjerë që kanë pasur të njëjtin bashkëpunim me Tabakun, ashtu si edhe i prangosuri Zeneli, por ndaj tyre ende nuk janë siguruar prova konkrete që të provojnë fajësinë në gjykatë. Kjo, pasi nuk janë dokumentuar ende raste të marrjes së parave nga ana e tyre, pasi personat që dyshohet se kanë paguar për vendet e punës te këta dy sekserë nuk kanë dhënë deklarime të tilla deri tanimë, pohojnë burimet, të cilat shtojnë se emrat e tyre nuk bëhen të ditur, për shkak të sekretit hetimor.
Afera seksuale
Përgjimet e kryera nga prokuroria dhe policia për zbulimin e aferës korruptive që zhvillohej nga titullarja e Zyrës Arsimore Lushnjë, Liza Tabaku, kanë nxjerrë në pah edhe skandale seksuale. Në përgjimet telefonike dhe në disa pamje filmike të siguruara nëpërmjet hetimeve speciale, ka detaje që e lidhin punësimin në këto vende pune edhe me kërkesën për të kryer marrëdhënie seksuale. Burime nga organi i akuzës pohojnë se ndërsa po vijohet me kryerjen e veprimeve për dokumentimin e autorësisë së të dyshuarve të tjerë në aferën korruptive të mitëmarrjes, pritet që të hetohet edhe për shtrëngimin për kryerjen e marrëdhënieve seksuale nga vartës apo persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me Tabakun. Kjo, pasi rezulton që individë të caktuar kanë ndërhyrë te Tabaku për emërimin apo ngritjen në detyrë të disa mësueseve në moshë të re. Ndërkohë, këtyre të fundit ata u kërkonin favore seksuale në këmbim të “nderit” që u kishin bërë.
Afera korruptive
Mesditën e 22 nëntorit, Drejtoria e Policisë Fier dhe Prokuroria e Lushnjës prangosën në flagrancë drejtoreshën e Zyrës Arsimore Lushnjë, Liza Tabaku, djalin e saj Xhanluka Tabaku, dhe një mësues fizkulture, Rigert Zeneli. Ndalimi i tyre erdhi pasi këta dy të fundit u kapën teksa po ndanin paratë që kishin marrë nga një mësues për të mos e larguar nga vendi i punës. Ndërkohë, në banesën e Liza Tabakut u gjetën dhe u sekuestruan shtatë zarfe me para, mbi të cilat ishin shkruar emra të personave të ndryshëm. Sipas prokurorisë, për çdo emërim, transferim apo moslargim nga detyra, mësuesve u merreshin nga tre mijë deri në pesë mijë euro. Ndërkohë, nga verifikimet paraprake ka rezultuar se Tabaku ka mbajtur në punë mësues pa profilin përkatës. Dyshohet se ajo ushtronte presion për largim nga puna ndaj mësuesve dhe më pas ata detyroheshin të jepnin para te sekserët që bashkëpunonin me Tabakun. Vetë Liza Tabaku nuk e pranoi akuzën e saj gjatë caktimit të masës së sigurisë. Ajo pohoi se nuk i ka kërkuar apo marrë para askujt dhe se të gjitha emërimet, transferimet apo largimet nga puna i ka kryer në bazë të ligjit. Tabaku u shpreh në gjykatë se nuk dinte se çfarë mund të kishte bërë djali i saj, por se ajo nuk ishte e përfshirë në asnjë lloj afere korruptive.
















