Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është takuar sot në mesditë në Romë me homologun italian, Angelino Alfano, me të cilin ka biseduar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit. Takimi i sotëm i dy ministrave vjen pas atij të zhvilluar në muajin qershor të këtij viti, pak përpara nisjes së operacionit kombëtar antikanabis, ku u asgjësuan mbi 500 mijë rrënjë bimë narkotike dhe mbi 100 tonë hashash. Ministri Tahiri e informoi homologun italian për rezultatet e operacionit si dhe ka njohur z. Alfano edhe me angazhimin serioz të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Tahiri tha se Policia e Shtetit e ka vendosur në prioritetet e punës së saj luftën kundër terrorizmit. “Në funksion të kësaj lufte, në Policinë e Shtetit është krijuar një Drejtori e posaçme me rreth 100 specialistë që do të merren me çështjet kundër terrorizmit”, – informoi ministri Tahiri. Ai theksoi domosdoshmërinë për shkëmbim informacioni dhe koordinim më të mirë në përpjekjen e përbashkët ndërmjet vendeve të rajonit dhe partnerëve të BE në luftën kundër terrorizmit. Ministri Alfano nga ana e tij siguroi ministrin Tahiri për mbështetjen e pakursyer të Italisë ndaj Shqipërisë dhe po ashtu garantoi se bashkëpunimi dypalësh ka për të qenë më i ngushtë, tanimë që vendi ka fituar edhe statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian .
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















