“Ata hyjnë pa trokitur”, një komedi dramatike e shkruar vite më parë nga autori Armand Bora, njëkohësisht edhe regjisor i pjesës, nuk ka munguar gjatë kësaj kohe për publikun në skenën e Teatrit të Metropolit. Nën interpretimin e aktorëve Rozi Kostani dhe Alfred Trebicka vepra tashmë do të jetë pjesë e repertorit të këtij teatri, por do të udhëtojë dhe në skenën teatrore të Prishtinës,njofton sotnews. Vepra në aspektin dramaturgjik bën përpjekje për ta parë në largësi kohën, familjen, historinë e shoqërisë shqiptare, në periudhën e diktaturës dhe sistemit komunist.
“Ata hyjnë pa trokitur” është historia e një çifti intelektualësh të izoluar brenda ambienteve të shtëpisë së tyre në kërkim të pjesës së fajit. Në këtë kërkim ata i kthehen dhe i rikthehen jetës së tyre duke e parë dhe e analizuar, për të gjetur gabimin. Teksti dhe regjia e Armand Borës, në formën e teatrit bashkëkohor përzihen elemente të teatrit absurd, ekzistencialist, komikja me tragjiken, sarkazma dhe ironia.
Aktorja Rozi Kostani shprehet se kjo premierë ka qenë në vëmendje të publikut, i cili ka mbushur sallën e Teatrit në Metropol. “Publiku nuk ka munguar, mjafton të ndiqni dhe vlerësimin e kritikës për këtë vepër, është mirëpritur” pohon aktorja Rozi Kostani protagoniste në “Ata hyjnë pa trokitur”. “Është një vepër e angazhuar, nuk është vetëm e kufizuar tek një diktaturë që ne kemi jetuar, por një akuzë ndaj çdo lloj diktati, situate ku dhunohen apo kufizohen të drejtat dhe liritë e individit”, ka bërë më herët të ditur dhe autori i veprës Bora.
Për pjesën autori i veprës ka pohuar se është frymëzuar nga jeta e çiftit të njohur Pirro dhe Pavlina Mani, por vepra nuk është historia e tyre. “Atje ka qenë vetëm spuntoja. Ishte një fjali e thjeshtë e profesorit tim Pirro Mani, që më thoshte shpesh: ‘I kam bërë gati disa herë valixhet pas premierave të mia, duke menduar që do vinin të më arrestonin’. Kjo ka qenë, kaq mjaftonte, pastaj është pasuruar vepra, ka mbresa nga bisedat e shpeshta që kam pasur me Visar Zhitin apo Maks Velon, personazhe të tjerë, familjarë të mi”, shprehte regjisori Bora. Kjo vepër ishte dhe premiera e parë që çeli sezonin artistik në Metropol.
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...


















