Zëvendëskryeministrja në largim e Kosovës, Edita Tahiri, të enjten e ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me pjesëmarrjen e saj në mbledhjen e asamblesë së Byrove dhe Kompanive të Sigurimeve, ku sipas saj, është miratuar unanimisht Draft-Marrëveshja mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit për çështjet e sigurimit të automjeteve.
Sipas saj, kjo marrëveshje në momentin e nënshkrimit, do të mundësojë uljen e tarifave për sigurimin e automjeteve dhe do të bëjë më tej lehtësimin e lëvizjes së lirë.
“Kjo marrëveshje, e cila pritet të nënshkruhet në Bruksel nga të tria palët, përfshirë edhe Këshillin e Byrove Evropiane, është në frymën e programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shërbime sa më të mira dhe jetë më të mirë për qytetarët,dhe në këtë kuadër edhe për lëvizjen e lirë, sepse ne edhe deri tash kemi dëshmuar se për ne si Qeveri e Republikës së Kosovës qytetari është i pari”, ka theksuar Tahiri.
















