Gjatë takimit, të dyja palët diskutuan mbi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë, të cilat shtrihen në aspekte të shumta politike, ekonomike, tregtare, kulturore, arsimore, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal dhe në atë ndërkombëtar.
Meta dhe Çiçek ndanë bindjen se të dy parlamentet do të duhet të intensifikojnë edhe më tej bashkëpunimin midis tyre në mbështetjen e qeverive respektive për të kaluar në dimensionin e ri e më dinamik të partneritetit strategjik që është afirmuar midis dy vendeve tona.
“Së bashku kemi ndarë bindjen se të dy parlamentet do të duhet të intensifikojnë edhe më tej bashkëpunimin midis tyre në mbështetjen e qeverive respektive për të kaluar në dimensionin e ri e më dinamik të partneritetit strategjik që është afirmuar midis dy vendeve tona”, tha Meta.
Kreu i Kuvendit shqiptar vlerësoi Turqinë, si një ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomik e tregtar për Shqipërinë, si dhe ecurinë e projektit mjaft të rëndësishëm dhe strategjik TAP, për mbarëvajtjen e të cilit Shqipëria do të ketë mbështetjen e Turqisë.
Nga ana e tij, Çiçek u shpreh gjatë takimit se Shqipëria është një nga ato vende që Turqia e konsideron një vend vëlla dhe mik për lidhjet e ngushta historike dhe kulturore.
“Shqipëria është një nga ato vende që e konsiderojmë dhe që është në të vërtetë një vend vëlla dhe mik. Kemi lidhje të ngushta historike, kemi lidhje të ngushta kulturore, kemi shumë fjalë të përbashkëta. Në Turqi shumë shtetas turq janë me origjinë shqiptare. Të gjithë këta janë faktorë të rëndësishëm për ekzistencën e mëtejshëm për marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve tona”, tha Çiçek.
Kryetari i Parlamentit të Turqisë tha se marrëdhëniet midis dy vendeve tona në të gjitha aspektet janë të kënaqshme, teksa theksoi se këto marrëdhënie duhen thelluar akoma më tej, jo vetëm në fushën politike, por edhe në fushën ekonomike, tregtare, kulturore, etj.
Sipas Çiçek, rajoni gjeografik ku ne ndodhemi është një rajon i brishtë për shkak të sigurisë dhe të qetësisë prandaj sa më të fuqishme që të jenë marrëdhëniet midis dy vendeve tona, aq më të fuqishme do të jenë siguria, paqja dhe qetësia në rajon.
















