Kryeministri i vendit, Edi Rama ishte ditën e sotme në qytetin e Librazhdit ku vizitoi një biznes fason, investim shqiptaro-italian, ku do te punësohen 500 banorë vendas. Duke e vlerësuar biznesin fason si një gjenerim vendesh të reja pune, kryeministri theksoi se këtë vit industria fasone ka dyfishuar importin e makinerive, çka sipas tij do të bëjë realitet premtimin e qeverisë për vende të reja pune.
Sipas kreut të qeverisë, numri i investuesve italianë në vendin tonë ka ardhur duke u rritur pas vizitës që vetë ai zhvilloi në Itali pak kohë më parë, ku u bëri thirrje biznesmenëve italianë që të investojnë në Shqipëri pasi do të kenë mjaft lehtësira nga ana e qeverisë.
“Kjo fabrikë është histori suksesi. Në kohë rekord ngritët këtë projekt konkret, i pari pas vizitave në Itali. Shembull për bashkërendim të forcave mes qeverisë, deputetëve dhe investitorëve. Forca jonë politike do të kthehet në promovuese të punësimit real. Me hapjen e 500 vendeve të reja të punës trajtojmë plagën e papunësisë”, tha Rama.















