Partia Demokratike ka denoncuar sot drejtorin e OSHEE në Lushnje, Dine Alia si një abuzues të energjisë elektrike, duke mos paguar faturat e bizneseve që ai ka.
Në një dalje për mediat nga selia blu, kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka akuzuar kryeministrin Rama se nuk i fut në burg hajdutët e tij të energjisë.
“Edi Rama ka caktuar në krye të operatorit shqiptar të energjisë hajdutë, përfitues dhe abuzues me pasurinë publike.Edi Rama nuk krijon asnjë vend pune për të varfërit që të kenë mundësi të shlyejnë pagesat e energjisë, dhe nuk jep asnjë alternativë tjetër vec burgut, ndërkohë që në krye të OSHEE ka caktuar njerëz që vjedhin vetë energjinë.”
Paloka deklaron se drejtori i OSHEE në Lushnje ka favorizuar bizneset e tij duke mos i paguar faturat e energjisë elektrike dhe sipas tij ai ka vjedhur 1 milion e 600 mijë lekë.
“Drejtori i OSHEE-së së Edi Ramës në Lushnjë ka favorizuar biznesin e tij, duke mos i paguar faturat e energjisë. Ky drejtor i Edi Ramës ka vjedhur të paktën 1 milionë e 600 mijë lekë. Ja ku është këtu fatura, që e nxjerr atë debitor. Cfarë ka ndodhur me drejtorin e Ramës. A është ai sot në burg, si dhjetra e qindra hallexhinj që nuk e paguajnë dot energjinë se nuk kanë bukë të hanë, sepse qeveria nuk ka hapur asnjë vend pune por ka mbyllur me mijëra?Jo nuk është në burg, është drejtor, është numri një i Energjisë për Lushnjën.”
Paloka thekson se Rama po përdor një standard të dyfishtë, duke shpërblyer hajdutët që ai i ka vetë miq.
“Ky është modeli i Edi Ramës. Mbush burgun me të pamundur që nuk kanë njohje dhe s’kanë mundësi të paguajnë se nuk ushqejnë dot fëmijët, dhe shpërblen e bën shef të Energjisë, një hajdut, vetëm pse është miku i tij. Partia Demokratike dënon me forcë standartin e dyfishtë të Edi Ramës dhe pabarazinë para ligjit. Drejtori i OSHEE në Lushnjë është Dine Alia.”
(Në foto: faksimilje e dokumentit që tregon se drejtori i OSHEE në Lushnje i detyrohet shtetit 1 milionë e 600 mije lekë. Dokumenti u publikua nga Edi Paloka)
















