Libri me përmbledhje të poezive nga autori i ndjerë, Ali Podrimja, “Vendlindja ime e shthurur”, është botuar në Francë nën titullin “Le pay defait de ma naissance”, me përmbajtje dy-gjuhësore në shqip dhe frëngjisht.
Kjo përmbledhje bëhet libri i dytë i poetit që botohet në Francë pas vdekjes së tij në vitin 2012. Përmbledhja është botuar nga shtëpia botuese “Collection “Le Tire-langue Revue À L’INDEX”, nën përkujdesjen e Aleksandër Zotos.
Sipas faqes së autorit në Facebook, përmbledhja e poezive, me parathënie nga Michel Cosses, përfshin poezi të retushuara nga vet autori sa ishte në jetë.
Ali Podrimja humbi jetën në korrik të vitit 2012, pasi u zhduk në rrethana të pasqarua në një festival letërsie në Francë. Ai njihet si njëri ndër poetët më të mirë të gjuhës shqipe, që i ka dhuruar poezisë bashkëkohore veprat “Thirrje”, “Shamijat e përshëndetjeve”, “Dhimbë e bukur”, “Sampo”, “Torzo”, “Lum Lumi”, si dhe librat në prozë “Burgu i hapur” dhe “Harakiri”.

















