Presidenti i Republikës, Bujar Nishani tha sot se me reformën në drejtësi nuk po avancohet dhe se procesi është ende në ngërç.
Gjatë konferences së hapjes së projektit ‘EURALIUS IV’ të financuar nga Bashki Europian me temë: “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, kreu i shtetit deklaroi se mesazhi politik i konferencës së 6 Tetorit për t’i thënë “jo korrupsionit në gjyqësor, jo kapjes së gjyqësorit, dhe pro reformës gjithëpërfshirëse”, nuk po shoqërohet me hapa konkrete.
Presidenti Nishani tha se, jo vetëm si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe si President i Republikës, do të jetë në mbështetje të plotë të objektivave të misionit Euralius për të kapur standardet europiane.
Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve vendas të nisin punën për përcaktimin e objektivave për secilin prioritet në bashkëpunim me misionin EURALIUS dhe çertifikimin e Komisionit të Venecias.
Zv/ kryeministrin Niko Peleshi theksoi se kjo reformë nuk do të jetë e lehtë, pasi preken interesa, të cilat, sipas tij, po mbrohen duke përdorur Kushtetutën.
Në konferencën për hapjen e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, EURALIUS IV ishin të pranishëm, Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Zv/ministri gjerman i Drejtësisë, krerë të institucioneve të pavarura kushtetuese, gjyqtarë e prokurorë si dhe përfaqësues të opozitës.















