Të pyetur nga KosovaPress nëse parashikohet të mbahet këtë vit një mbledhje e përbashkët e qeverive, Shqipëri-Maqedoni dhe Kosovë,të dy ministrat pohuan se ka shumë gjasa që kjo të mbahet por koha dhe modalitetet do të vendosen nga kryeministrat përkatës.
“Qeveria e Maqedonisë praktikon mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta me vendet fqinje, por kuptohet që për këtë gjë të dy kryeministrat duhet të bien dakord, pasi nuk jemi ne si ministra kompetentë. Pra për momentin nuk mund t’ju them se kur do të mbahet por ka shumë gjasa që ajo do të mbahet,” tha ministri i Maqedonisë, Mihail Cvetkov.
Edhe ministri shqiptar, Edmond Panariti shtoi se mbledhjet e përbashkëta të qeverive e forcojnë edhe më shumë bashkëpunimin rajonal dhe se kjo praktike është element thelbësor i politikës së jashtme të Shqipërisë, por që sigurisht organizime të tilla në nivel mbledhjesh janë në kompetencë të kryeministrave.
“Ndaj të njëjtin mendim me z. ministër, bashkëpunimi rajonal është element thelbësor i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe natyrisht bashkëpunimi me fqinjët është parësor. Natyrisht kjo meriton të ngrihet në nivel të mbledhjeve të përbashkëta midis dy qeverive që pa dyshim janë në kompetencë të kryeministrave të vendeve për të vendosur për modalitetet e këtyre organizimeve. Ajo që është kryesore është që në nivelin e bashkëpunimit të bujqësisë ne tashmë kemi përcaktuar kush do të jenë hapat e ardhshme të shpejta dhe ato afatmesme dhe aftagjata, të cilët inkuadrohen mjaft mirë edhe në kuadrin e bashkëpunimit më të gjerë ndërqeveritar,” tha ministri shqiptar Edmond Panariti.
Këto deklarata të dy ministrave u bënë sot në Tiranë gjatë një konference për shtyp që dy homologët mbajtën në kudër të një takimi për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe rritjes së vëllimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
















