Ish-kryetari i delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamenti Evropian, Eduard Kukan, e ka cilësuar një hap të rëndësishëm vizitën e kryeministrit Edi Rama në Beograd, ndërsa ka bërë thirrje që dy vendet ta vazhdojnë dialogun politik.
Kukan, i cili aktualisht drejton delegacionin për marrëdhëniet me Serbinë në Parlamentin Evropian, tha se Tirana dhe Beogradi duhet të vijojnë diskutimet në mënyrë të përgjegjshme dhe dobiprurëse.
“Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, është padyshim një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë”, tha Kukan gjatë një interviste për gazetën serbe “Danas”.
I pyetur nga gazetari nëse fjalimi i Ramës në Beograd ishte një skandal diplomatik apo jo, Kukan tha se Vuçiçi dhe Rama duhet të përdorin udhëheqjen dhe urtësinë e tyre për t’i dhënë një shtysë përmirësimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe të ulin tensionet e shkaktuara kohët e fundit.
“Në këtë kontekst, mendoj se është e nevojshme që ndjeshmëritë midis Serbisë dhe Shqipërisë të trajtohen në mënyrë më të përgjegjshme dhe konstruktive”, tha ndër të tjera Kukan.















