“Në mes të shqetësimit dhe qetësisë” është titulli i ekspozitës së artistit Rrezart Galica, që më 22 nëntor do të hapet në “Galerie B”, në Bocholt të Gjermanisë. Me të njëjtën ekspozitë, në maj të këtij viti, Galica ishte prezantuar në Ankara të Turqisë.
Kjo ekspozitë përmban edhe një poster të paekspozuar më herët. “EUFail”, me të cilin Galica pasqyron dështimin e Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë “EULEX”, shkruan Koha.
“Ky poster reflekton paaftësinë e misionit të BE-së në Kosovë të quajtur ‘EULEX’ për të bërë të mundur sundimin e ligjit në vend. Shpresoj se me këtë punim do të zgjoj kërshërinë e publikut gjerman nëpërmjet artit që të jetë i sensibilizuar lidhur me rrjedhat e zhvillimit të jetës politike në Kosovë”, ka thënë Galica, duke shtuar se kjo ekspozitë ndahet në dy cikle.
“Në njërën anë, me posterë e print trajtoj tema më të nxehta e shumë provokuese derisa te fotografitë jam fokusuar në anën tonë tradicionale e turistike dhe përveç në Kosovë janë të realizuara edhe në Shqipëri, Mal të Zi”.
Kjo ekspozitë do të hapet me datën 22 nëntor dhe do të qëndrojë e hapur për një muaj.
Galica i cili njihet për idetë thumbuese, të cilat i shpreh përmes veprave të tij, nga kritikja Suzana Varvanica-Kuka, është konsideruar si “një prej artistëve pamorë më të guximshëm të Kosovës”.
Pjesë e kësaj ekspozite është edhe posteri “Onion & Cut Always Enemies”, përmes së cilës ironizon lojën me harta, “For Corrupted People – NO DISK”, si një dedikim për njerëzit e korruptuar, “To FIFA – Don’t Play Balls with Us”, përmes së cilës proteston ndaj mospërfshirjes së Kosovës në FIFA dhe posteri “Never Deputy”.

















