Deputeti e shkrimtari Ben Blushi ka kritikuar dje qeverinë e tij për politikat ndaj librit. “Libri është braktisur nga shteti. Nuk ka këtu përfaqësues të shtetit tonë që të na tregojnë si mbështetet libri nga qeveria”.
Deklarata e tij u bë dje në konferencën çelëse të Panarit të 17-të të Librit, e cila këtë vit bëhet pa mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. Në fjalën e shkurtër që ai mbajti, shprehu mirënjohje për Shoqatën e Botuesve, e cila me këmbëngulje ka mbajtur gjallë këtë aktivitet.
“Kam ardhur këtu më së shumti si blerës librash. Tani po vij si shitës librash dhe më vjen mirë që panairi nuk është braktisur nga njerëzit e kjo është arsyeja që ka qëndruar gjallë. Por për fat të keq, sidomos vitet e fundit është braktisur nga ata që s’duhet, nga qeveritë. Më vjen keq që përfaqësuesit e dy shteteve, SHBA dhe Italisë, folën se si e mbështesin librin shqiptar dhe nuk ka asnjë përfaqësues të qeverisë sonë që të thotë se si e mbështet librin në Shqipëri”, – u shpreh Blushi. Teksa nuk i kurseu kritikat për politikat e munguara në mbështetje të librit, në Shqipëri, vendin ku lexohet më pak në rajon, ai tha se nuk ka një formulë për të rikthyer lexuesit, por shtoi se libri nuk shkon në fshatra dhe ka të rinj që nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë jetës, për ç’arsye, ai po kthehet në një produkt për të vjetrit.
Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve, organizatore e panairit, tha se e kanë thirrur Blushin si shkrimtar, por ai nuk foli si shkrimtar. “Ai foli si qytetar dhe si politikan i spikatur. Ato dobësi që vihen re këtu, ai do t’i ngrejë ku duhet, që të na ndihmojë për librin”.
Më herët, Ymeri tha se Panairi i Librit ‘Tirana 2014’, bën bashkë 95 botues nga të gjitha hapësirat shqiptare që sjellin tituj të rinj, të letërsisë shqipe dhe të huaj, ndërsa nuk mungojnë autorë shqiptarë në stenda, konferenca letrare dhe promovuese. Shtëpia e librit për pesë ditë, të shtunën kurorëzon garën për tri çmime tradicionale të panairit, si dhe Çmimin e veçantë të Jurisë, “Jeronim de Rada”. Ymeri bëri me dije se në laminë e librit ka një situatë alarmante: Prej dy vitesh xhiroja ka rënë dukshëm, deri në 40%. Në disa qytete po mbyllen libraritë ose pikat e shitjes. Kjo do të thotë që libri ka shkuar më pak tek lexuesi.
“Në këto rrethana, është bërë imediate ngritja e një Qendre Kombëtare për librin, që të synojë përhapjen e librit dhe leximit në Shqipëri dhe, me politika të studiuara, të zgjerojë bazën e lexuesve, të rinj dhe të vjetër, si edhe të mbështesë aktivitetet, promovimin dhe zbatimin e nismave për të përhapur kulturën e leximit dhe produktin e editorisë shqiptare”, – tha ai, mbasi theksoi se vendet e tjera, fondet e Qendrave Kombëtare të Librave i kanë me miliona euro, ndërsa tek ne ato kanë qenë të pakta dhe jo gjithnjë transparente, jo rrallë të harxhuara në mënyrë preferenciale. Ai u ankua edhe për taksën prej 20% për librin e printuar.

















