Është bërë e udhës që gazetarët e “lirë” pasi kanë bredhur pas çdo force politike pa patur në asnjë moment shtyllë kurrizore, (për interesa të ngushta) të hapin nga një portal ku punësojnë 2-3 studentë gazetarie dhe me pagesa modeste i shfrytëzojnë që të bëjnë copy-paste nga portalet e tjera. Ajo që i mban “në këmbë” është financimi politik. Sepse këto monstra mediatike vetëquhen “opinion makers”, pra krijues të opinionit publik. Këta nuk janë shumë në numër, por dallohen menjëherë teksa i sheh që rreken të flasin kundër një qëndrimi a aksioni vendas apo ndërkombëtar dhe të nesërmen, kur gjithçka ka mbaruar, janë në gjendje që pa pikë turpi të lëpijnë ku kanë pështyrë, pa ju bërë aspak përshypje.
Rasti flagrant i kësaj pseudogazetarie e pseudo opinion-bërje është ai i reformës në drejtësi. Ishin të famshme shkrimet në mbrojtje të sovranitetit dhe rrezikut euro-amerikan. Ishin të fortë titujt kundër imperializmit që rrezikonte të na vidhte sovranitetin dhe të na fuste me zor drejtësinë në territoret tona. Ishin të kobshme mesazhet kundër ndërkombëtarëve që i kishte blerë qeveria. Imagjino, qeveria shqiptare që blejë Shtëpinë e Bardhë (niveli analizës së bixhozxhinjve që rreken të krijojnë opinion në mëngjes për të nxjerrë paratë e lëna në Casino me gjoba ose shërbime). E keqja e reformës ishte përfshirja e partnerëve strategjikë si SHBA dhe BE. Ky ishte mesazhi i tyre i qartë dhe ajo që deri para datës 22 korrik ata “besonin”. “Imperialistët jashtë Shqipërisë, kemi sovranitetin tonë”, ishte linja politike që ju ishte dhënë të mbanin.
Por, reforma kaloi. SHBA dhe BE kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në procesin e vënies në jetë të saj. Ata do të kenë në dorë të gjitha dosjet e prokurorëve, gjykatësve dhe do krijojnë listat sipas pastërtisë. Natyrisht që ai/ajo gjyqtar e prokuror që hy në “listën e zezë” nuk ka asnjë shans të kalojë në stdet e tjera sepse anti amerikanizmi s’mund të shkojë në këtë nivel (gjithësesi të presim, të shohim).
Por, ç’thonë tani “opinion-bërësit” antiamerikanë dhe sa gradë e kanë kthyer mendimin?
Tani që reforma kaloi, afër mendsh që “analistët” e llojit të mësipërm janë në vijë të parë që duke mos dashur të portretizohen si anti-amerikanë kanë filluar një valë të re shkrimesh. Një histeri që thotë se sa mirë është e seriozisht Amerika e ka marrë reformën në drejtësi. Deri aty shkon hipokrizia e të ashtuquajturve “opinion-bërës” sa të ngjan e pabesueshme. Tek sheh anti-amerikanin që flet për Ameriken (imperialiste që donte të pushtonte Shqipërinë e të na merrte sovranitetin deri dje) sikur ta kishte tokën e babës, kupton se si në të vërtetë këta janë vetëm disa të pafytyrë që shiten nën petkun e opinionistit.





















