Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç i tha agjencisë “Reuters” se deri në fundjavë nuk do të vendosë nëse do ta ftojë ose jo kryeministrin Edi Rama.
Ky qëndrim vjen më pak se 24 orë kur zoti Rama i pohoi të njejtës agjenci se do ta kryente vizitën në Beograd në emër të ardhmërisë dhe paqës dhe larg të shkuarës.
Vizita e kryeministrit është programuar paraprakisht të kryhet në 22 tetor, por zoti Vuçiç thotë se deri në fundjavë nuk do të marër ende vendim për ta ftuar.
“Unë nuk kam frike nga bisedimet. Mirëpo, më duket se dikush nuk dëshiron të bisedojë, por dëshiron që të kërcënojë Serbinë dhe të nxisë destabilitet rajonal”- u citua t’i ketë thënë zoti Vuçiç agjencisë.
Kryeministri i Serbisë thekson gjithashtu se “mund ta shikojë zotin Rama dhe këdo tjetër në sy”.
Më herët zoti Vuçiç kishte thënë se Serbia priste një ndjesë të thellë prej Shqipërisë për atë që e quan “provokim” me një banderolë që përmbante elementë të simboleve kombëtare shqiptare, që sipas tij ishte harta e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.
“Ngritja e flamurit ishte një provokim i rëndë. Unë nuk e di se kush do të mund të përfitojnë nga kjo, por një fakt është se zyrtarët ishin mbështetësit e vetëm të ekipit shqiptar në ndeshje. Pala serbe pret një ndjesë të thellë nga pala shqiptare, që shkaktoi incidentin. Ky rast është shumë i qartë, në incident nuk shoh asnjë gabim të palës serbe”-u citua kryeministri Vuçiç nga mediat në Serbi.
Zoti Vuçiç nuk ka komentuar thirrjet e thuajse 32 mijë vetëve në stadiumin e Partizanit të Beogradit “Vritini shqiptarët”, “Vritini shqiptarët se kanë vëllezër kroatët”, “Vritini kroatët që shqiptarët të mos kenë vëlla”, “Vritini deri sa shqiptarët të mos ekzistojnë” dhe “Kosova është Serbi”.
Ky qëndrim i kryeministrit Vuçiç nuk përmban gjithashtu faktin se deri në minutën e 42-të të lojës futbollistike Serbi-Shqipëri kishte pasur tri ndërprerjë dhe ndërhyrje të gjyqtarit anglez Martin Atkinson për hedhjen e gurëve, fishekzjarreve, monedhave, çakmakëve, stolave, shisheve, objekteve të ndryshme në fushë.
Zoti Vuçiç nuk ka komentuar gjithashtu dhunën fizike ndaj lojtarëve të Kombëtares se Shqiptarëve dhe delegacionit të Shqipërisë nga disa lojtarë serbë, tifozët dhe forca të sigurisë të stadiumit dhe nga vetë policia serbe.
Kryeministrat Rama dhe Vuçiç u takuan në Kinë në muajin shtator 2014 kur morën pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.















