Christopher Hill, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Serbi tha të martën se Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën, si parakusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si shansin më të mirë për të dyja vendet që të zgjidhin mosmarrëveshjet”, tha zoti Hill duke dëshmuar para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Ai e paraqiti çështjen e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, si një nga përparësitë që do të ndjekë nëse konfirmohet për postin e ambasadorit të Serbisë.
“Nëse konfirmohem, unë do ta inkurajoj Serbinë që të angazhohet fuqishëm dhe urgjentisht për të gjetur një rrugë përpara me fqinjin e saj”, tha ai.
Në përgjigje të një pyetjeje të senatores demokrate Jeanne Shaheen, lidhur me rolin që ai do të luajë “në përpjekjen për të inkurajuar Serbinë që të jetë një anëtare konstruktive e Ballkanit Perëndimor”, i emëruari për postin e ambasadorit, përforcoi nevojën për përparim mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ka pasur njëfarë përparimi në bisedime, por ka pasur gjithashtu një lloj mungese zhgënjyese të përparimit në bisedime. Bashkimi Evropian ia ka bërë shumë të qartë Serbisë se e ka kushtëzuar anëtarësimin e saj me zgjidhjen e këtyre çështjeve”, tha ai.
Për këtë arsye zoti Hill nënvizoi se do të jetë shumë e rëndësishme “puna me qeverinë në Beograd dhe përpjekja për të ndihmuar në zgjidhjen e disa prej këtyre çështjeve me Kosovën”.
Ai tha gjithashtu Shtetet e Bashkuara do të shohin me kujdes se “kush po ndihmon për t’i çuar gjërat në drejtimin e duhur”, si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe me Bosnjën.
Në vitet 90 ai ishte anëtar i ekipit negociues që hartoi marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.
Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, zoti Hill shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, deri në konferencën e Rambouilletit, e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.
Në qershor të vitit 2013, ai së bashku me diplomatin austriak, Wolfgang Petrisch, u nderuan me titullin doktor “honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës, “për rolin e tyre në sjelljen e paqes dhe lirisë për shtetin e Kosovës”.
Zoti Hill me përvojë nga rajoni i Ballkanit, flet edhe serbisht, polonisht, maqedonisht dhe frëngjisht.
Nëse konfirmohet, ai do të zëvendësojë në Beograd ambasadorin Anthony Godfrey.