Nga: Mimoza Kusari-Lila
Në shoqëritë e tranzicionit shumë individë të cilët humbën statusin, mirëqenien dhe reputacionin të cilin e kishin dikur, mbahen për një kohë të paktën në mendime dhe në biseda shoqërore, me atë status si periudhën me të mirë të jetës së tyre.
Për ta, do të thotë, të kenë pasur një kohë, një sistem kur në shekullin e jetës së tyre, ata kanë arritur zenitin në të cilin qëndruan deri kur një sistem tjetër e rrënoi të gjithën.
Shpeshherë, këta harrojnë se kanë një përparësi, kujtimin për sistemin e vjetër dhe shtetin që ata e njihnin dhe për të cilin nuk menduan shumë se e krijoi dikush tjetër, duke iu ofruar mundësitë që për të gjithë ata që donin ta strukturonin jetën në konturat mesatare, shteti dikur funksiononte.
Të gjithë të rinjtë e gjeneratës së lindur prej fundviteve të dekadës së tetë të shekullit të kaluar, nuk e kanë mundësinë e sistemit të cilin mund ta kujtojnë pozitivisht. Shumica e të rinjve të lindur në Kosovë që nga fundi i viteve të 80-ta, që prej u funksionon kujtesa, kujtojnë prindërit e papunë (nga fillimi viteve të ’90-ta) ose familjet në krizë me shumë telashe në shtëpi për pamundësinë e realizimit të nevojave bazike.
Për të gjithë ata që jetuan në Kosovë deri në vitet ’99-ta, lufta pashmangshëm shënon kujtimin i cili do të mbetet me ta deri në frymën në fundit. Gjithashtu vragë kanë lënë edhe pasojat e luftës, në varshmëri sa janë prekur familjet nga ato pasoja.
Për këta të rinj, që sot janë nga 18 deri në 25 vjet (të lindurit nga 1989 deri me 1996) shteti ka pasur ose imazh të dhunuesit represiv, ose ka qenë në formë të padefinuar me shumë intervenime nga jashtë. Shumë paqartësi, por edhe pak identitet të shtetit 6-vjeçar mund të kenë krijuar kjo gjeneratë e re.
Asnjëri nga të 24-25 vjeçarët me siguri mund të them nuk mund të krahasohen ata 25-vjeçarë të viteve të fundit të ’70 po ’80 kur i priste një e ardhme më e sigurt (të paktën në perceptimin e tyre).
Nuk është brenga se u ndryshua sistemi, as që ra sistemi monist, se ishin evoluime shoqërore të pandalshme. Brenga është se sot, listat e rasteve delikuente nga një numër i madh i krimeve përfshijnë emra nga kjo gjeneratë. Ajo çfarë ndodhi së fundmi me arrestimet e 40 kosovarëve është vetëm njeri prej shembujve. Ende më eklatant është shembulli i 25-vjeçarit nga Kaçaniku luftëtar në luftën e huaj.
Por çfarë i ndodhi shoqërisë Kosovare në ndërkohë? Traumat ishin të shumëfishta dhe shumështresore. Nga sistemi represiv i ’90-tave, tek lufta e ’99-tës dhe shteti i dobët i viteve 2000.
Ajo çfarë shoqëria nuk e humbi është vitaliteti i saj dhe dëshira për ndryshim. Sistemi i ri i krijuar nuk e dizajnon më fatin e të rinjve, as nuk arrin të krijojë një model si hyn një i ri/e re në punë dhe ngritet në karrierë.
Sistemi tani do duhej të mundësonte iniciativat individuale të vijnë në sipërfaqe, por të forcohet sistemi i edukimit, përkrahja e talentëve, por gjithashtu të funksionojë rendi dhe ligji si dhe mekanizmat përcjellës të rendit dhe ligjit.
Sistemi i krijuar nuk të siguron punën kur të diplomosh as në vendet e zhvilluara, por duhet siguruar që të kesh të gjitha përgatitjet të gjesh punë vetë apo edhe të vetëpunësohesh.
Sistemi duhet të krijojë fast track të përcjelljes së talentëve dhe ofrimin e mundësive për ekspozim.
Nuk është krejt rastësi se ata individë, prindërit e të cilëve lëshuan Kosovën si pjesë e ish-Jugosllavisë represive në vitet e ’90-ta dhe përkrahen nga sistemet e mirëfillta shtetërore, sot janë yje botërore: Rita Ora e lindur me 1990, Xherdan Shaqiri me 1991, janë vetëm disa nga ata që na zbardhin fytyrën të cilën pastaj na e nxinë dikush tjetër i po të njëjtës gjeneratë që u rrit në Kosovë. Rita, Xherdani dhe të tjerët përçojnë mesazhin e thënies: ti mund të jesh një person në botë, por je bota për dikë tjetër. Ata tek ne krijuan ndjenjën se jemi pjesë e botës së civilizuar.
Është koha të mendohet seriozisht për gjeneratën e cila u rrit në Kosovë dhe është në udhëkryq dramatik. Sistemi ka ndryshuar dhe me të edhe sistemi i vlerave, por asnjëherë nuk mund të ofrojmë mundësinë e humbjes së kësaj gjenerate. Do humbim si shoqëri pa askënd për të na shpëtuar. Atëherë, vetëm dikush do të ndihet me fat, se ishte pjesë e sistemit të dikurshëm të cilin e luftuam ta heqim vetë.














