Petrit Kuçana
Pas vizitës së Ministres së Brendshme Britanike në Tiranë, ministrja e drejtësisë Etilda Gjoni u gjend në Londër, për kurorëzimin e marrëveshjes për riatdhesimin e te dënuarve shqiptarë në Britani.
Mbase nuk përbën lajm shifra prej 1500 shqiptarësh të dënuar, më tepër se sa qëndrimi i prerë britanik, se do të mjaftohet vetëm përballimin e kostos e transferimit për në mëmëdhe.
Media shqiptare ka publikuar edhe 5 pika të marrëveshjes:
1-Mes dy vendeve të nisë në vjeshtë, transferimi më shumë të burgosur shqiptarë nga burgjet angleze për në ato shqiptare.
2-Nuk do të ketë lirim të parakohshëm pas transferimi. Të burgosurit do të vuajnë të plotë dënimin e dhënë në Angli në burgjet shqiptare.
3-Të burgosurit e transferuar i ndalohet hyrja në Britaninë e Madhe.
4-Shqipëria do të paguajë koston e strehimit të burgosurve të transferuar nga Britania e Madhe.
5-Pala britanike do të paguajë vetëm koston e sjelljes së tyre me avion.
Shtetit shqiptar i kushton 9 mijë euro në vit mbajtja e një personi në burg në Shqipëri.
Do të hynte në punë matematika e thjeshtë vetëm në funksion të një argumenti; Çfarë do të ndodhte nëse këto 9 mijë euro në vit, shteti shqiptar do t’i investonte në edukimin apo punësimin e tyre? Kjo shifër magjike prej 9 mijë eurosh në vit për një person, është një këmbanë alarmi për çdo institucion të shtetit shqiptar.
Nuk dihet se sa është shifra e saktë e shqiptarëve të dënuar nëpër botë, kryesisht brezi i ri, por ajo që shihet si drita e diellit, është tendenca e theksuar e normalizimit të së keqes.
Duhet theksuar se ka një ndryshim drastik në mes të brezit të ri të emigrantëve të ardhur më herët në Britani dhe të ardhurve rishtas. Në qoftë se dikur fenomeni i drogës nuk ishte as teme diskutimi, mjerisht sot është kthyer në fenomen, që nuk po shkatërron thjesht jetën e këtyre të rinjve, por po zhbën gjithë sistemin e vlerave të pranuar universalisht.
1500 shqiptarë të dënuar ne Britani janë prodhim i asaj shoqërie, që kultivimin e drogës e konsideruan thjeshtësisht si mjet fitimi dhe që arriti kulmin, si forca e shembullit, nga vetë Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, i cili sot e kësaj dite së bashku me disa drejtues të lartë të policisë së shtetit, janë akuzuar si të përfshirë drejtëpërsëdrejti në trafikun e drogës.
Ishte koha kur Shqipëria u mbush me kanabis dhe që u hesht dhe antivlera u ekspozua si vlerë, duke ndikuar drejtëpërsëdrejti kryesisht tek të rinjtë, që u edukuan me normalitetin e këtij fenomeni dhe nuk kishin se si të mos bëheshin edhe pjesë e tij.
Patjetër që ky fenomen kaloi kufijtë e Shqipërisë dhe la një trashëgimni të dhimbshme për shoqërinë shqiptare , plagët e së cilës po vazhdojnë të jenë të pambyllura akoma.
Fatkeqësisht kemi një tablo rrënqethëse të të rinjve që duan “një sahat e më parë” të largohen nga ai vend dhe një propagande te paepur që kërkon ta minimizojë këtë fenomen, duke e konsideruar si një gjë krejt normale, që kjo ndodh gjithandej, që këtu ska asgjë të keqe dhe as ndonjë shifër tmerruese nga institucionet ndërkombëtare, nuk ua prish taraqillëkun propagandës që prej vitesh e vitesh ka një kryefjalë që stërpërsëritet se “punë ka, por nuk ka profesionistë”
A do të jetë një sensibilizim shifra prej 9 mijë eurosh ne vit që do paguhet nga shteti shqiptar për të riatdhesuarit?
Përvoja e deritanishme tregon se JO.
(Kushedi sa herë do na kujtohen protestat e studentëve që u shkatërruan që në embrion pasi shkundi nga themelet qeverinë shqiptare)
Shtetit Shqiptar i duhet të paguajë mbi 9 mijë euro në vit për këta të burgosur që do të riatdhesohen. Ky është një leksion kokëfortë britanik që në një farë mënyre do ta detyrojë qeverinë shqiptare që të mendojë disa herë, sidomos për edukimin e të rinjve, së paku duke ndaluar ose frenuar me aq sa është e mundur dyndjen e tyre drejt Britanisë.
Mbase nuk do të ishim aq cinikë të rikujtonim se me 9 mijë euro në vit shpenzime për edukim për nje përson, nuk do të kishim 1500 të burgosur, por 1500 specialistë të aftë për të konkuruar në tregun global. Do të kishim të paktën 1500 specialistë që do të refuzonin me neveri çdo lloj propagande, mungesë llogaridhënie, arrogance apo abuzime me pushtetin, e vit pas viti do të kishim një Shqipëri më të mirë.
Nëse do të fillojmë të mendojmë se kur do të marrë fund ky fenomen, nuk do të ishte aq keq që institucionet përgjegjëse “të thyenin kokën” pas straegjive imediate dhe kurrsesi ta kalonin si lajmin që kalon në harrueshmërinë treditore. E kush nuk do të donte të dëgjonte kryeministrin të zbatonte atë që thoshte Tony Bleri “Our top priority was, is and always will be education, education, education”
Koha është tani dhe shpresohet se leksioni britanik duhet të shkundë nga rrënjët kalbësitë e krijuara deri tani, e të ketë një fillim të ri me prioritet edukimin.




















