Në burg Osman Gazepi ishte i vjetër dhe njeri pa farë njeriu në këtë botë. Një grua që i kish mbetur, kish vajtur e rrinte në Fushë të Korçës, sepse, si nënë dëshmori që ishte, ajo nuk donte ta prishte biografinë e saj, duke u quajtur në opinion si gruaja e Osman Gazepit. Kështu që, jam dëshmitar okular i faktit se ai burrë plak për katër vjet rresht, d.m.th., deri sa Enveri bëri gjoja sikur u prish me Titon, dhe filloi e vuri atëherë në burg atë kazanin e supës, kolonel Osman Gazepi e ka mbajtur shpirtin vetëm me 650 gram bukë të zezë thatë, pa pranuar asgjë nga askush. Dhe një njeri me një personalitet kaq të theksuar, nuk mund të jetë apo të ketë qenë as bufon dhe as budalla.
Shumë rrallë, për të mos thënë kurrë, ai pranonte të shkonte për drekë ose darkë te ndonjë, me të cilin kishte shumë muhabet dhe që e njihte për tepër serioz.
Teshat e fjetjes së tij përbëheshin nga dy batanije nga ato fare ordineret, të ushtrisë greke, nga të cilat, njërën e shtronte si dyshek dhe tjetrën e hidhte mbi vete. Sa për jastëkun, këtë ky e kishte anuluar, duke u bërë, në ditë të pleqërisë një Spartak i vërtetë, sepse ai kokën e mbështeste gjithmonë përmbi njërën llërë.
Në një gjendje të tillë Osman Gazepi jetoi plot 8 vjet dhe do t’i kish bërë dhe shtatë të tjerat, nëse nuk do ta kish ndihmuar një rrethanë specifike dhe krejt rastësore.
Na erdhi një ditë për inspektim ministri i Brendshëm, i tmerrshmi Mehmet Shehu, i cili, kudo që shkelte, mbillte terror dhe vdekje… Në fillim, ai dëgjoi ndonjë ankesë ose pyeti ndonjë të burgosur se si i shkonte jeta. Shumë nga ata që i paraqitën ndonjë farë ankese ose kërkesë, ai me qëndrimin e tij të ashpër i bëri të gjithë të pendoheshin për hapin që kishin bërë, sepse ai i shau e i bëri rezil dhe ua hodhi fajin atyre vetë…..
Pastaj, duke dashur t’i jepte vizitës së tij ndonjë farë humori që të mbahej mend për shumë kohë, ai iu kthye Osman Gazepit me të qeshur, e me një ton tërë hilaritet:
– Po ti, kolonel Osman Gazepi, me kë je dhe ç’kërkon nga unë, se kërkesat e këtyre të tjerëve i mora vesh?
– Unë, zoti ministër, jam vetëm me Zogun dhe me Rininë, ia priti Osmani.
– Po, kur e doje Zogun aq shumë, dhe ai po ashtu ty, si shpjegohet që ai iku e fluturoi, dhe ty të la këtu?
– Unë, zoti ministër nuk kisha merita të tilla që ai të më merrte jashtë. Për këtë jam shumë i ndërgjegjshëm. Po zotrote the që ai fluturoi e iku, mirë ka bërë, se ndryshe atij nuk do ia thonin emrin Zog. Zogu ynë, ashtu si fluturoi e iku, po ashtu do fluturojë një ditë dhe të kthehet prapë në çerdhen e vet…Po t’i lemë këto, or Mehmet Shehu… Më kanë thënë se je trim, dhe vetë dëshiroj që ta besoj një gjë të tillë. Po trimi ama ka dy gjëra: o të vret ose të fal!… Jam burrë i vjetër, kam bërë gjer tani tetë vjet burg, nga të cilët katër të parët vetëm me 650 gram bukë thatë, kurse katër të fundit, veç bukës së thatë, kam ngrënë dhe një lugë supë të burgut. Tërë këto vite që rroj këtu, i pa larë, i pa ndërruar, i pa qepur dhe i pa arnuar. Prandaj or Mehmet Shehu, faqe këtyre burrave, po të them si burri burrit: ja më vrit, ja më lësho. Dhe gjakun ta kam falur me zakon e kanun.
Mehmet Shehu nuk e zgjati më me të, po doli për dere dhe iku, me gjithë suitën e tij.
Afërsisht pas dy muajsh, Osman Gazepit i erdhi lirimi. Për këtë, nuk mbeti i burgosur pa u gëzuar. E them me bindje dhe me prova të shumta se të gjithë njerëzit e ndershëm dhe seriozë, kishin rënë në pikë të hallit me kolonel Osman Gazepin, sepse ai i refuzonte kategorikisht ndihmat e tyre.
Kështu ai doli nëpër Tiranë me një palë pantallona të ndyra, të arnuara si mos më keq, dhe me një batanije të kuqe leshi që e kishte lidhur në fyt me tel, dhe e hedhur prapa si pelerinë. Si muhabetçi të madh që e njihnin tërë Tirana, ai e kalonte ditën me qyfyre e tregime kafe më kafe. Për të fjetur atë e mbanin të gjithë përgjegjësit e lokaleve se e dinin që me florinj të ishte shtruar dyshemeja, ai ishte nga ata që nuk prekte asgjë.
Pas disa javësh, kur kuriozët e Tiranës filluan ta ndjenin veten të ngopur nga muhabetet e Osmanit, filluan të mos ia varnin dhe mos të pyesnin më për të. Nuk e thërrisnin e as që e qerasnin me ndonjë kafe apo çaj.
Kur e kuptoi se kishte mbetur si kofini pas të vjeli, që s’i duhej më kujt, dhe se nuk kishte më jetë tjetër për të në Tiranë veçse duke u bërë lypsar, Osmani i shkretë kishte marrë rrugën në këmbë, për të shkuar në Fushë të Korçës, te fisi i gruas, me shpresë që të gjente vend sa të fuste kokën dhe të vdiste atje.
Nuk e di kurrkush se për sa ditë e ka bërë Osman Gazepi në këmbë rrugën gjer në Elbasan. Ajo që dihet, është se dhe atje ky ishte një personazh i njohur për tregime, për humor dhe për qyfyre kafenesh.
Si i kishte gjallëruar edhe këtu tërë kafenetë dhe dyqanet e zanatçinjve, me ato muhabetet e tij në formë tregimesh, të cilat lidheshin njëri me tjetrin si ato përrallat e njëmijë e një netëve, ai e kishte nuhatur se, edhe Elbasani ishte ngopur tashmë me qyfyret e tij, dhe se kishte ardhur koha që të shkonte në folenë e tij të fundit, Fushë-Korçë, ku shpresonte se, kur të vdiste, do ta kishte për rixha të Zotit, dhe ai një varr, si gjithë të tjerët…
Kështu, shkon lavdia dhe kështu i merret kuptimi kësaj jete të rreme. Askush nuk ka qenë i zoti as ta gëzojë e as ta kuptojë. Ai, Osman Gazepi që kishte hyrë dikur me kalë në Parlament dhe i kishte kërkuar Ahmet Zogut leje që t’i qiste ujët të zi Parlamentit, ai Osman Gazep, të cilit njerëzia ia dinin përmendësh si orarin kur dilte nga shtëpia, ashtu dhe itinerarin se nga do shkonte, ja që kish një ditë që, askush nuk e mori vesh se kur kishte dalë nga Elbasani dhe kur kish marrë rrugën për në Fushë të Korçës. Ky ishte një mësim filozofik, për atë që do të thellohet në kuptimin e jetës.
Ajo që dihet me siguri, është fakti se kolonel Osman Gazepin e gjetën të vdekur në buzë të rrugës automobilistike, pranë urës së Haxhi Beqarit. Mjeku i dërguar atje dhe prokurori, konstatuan se ky kishte disa ditë që kishte vdekur, jo nga vdekja natyrale, po se e kishin sosur e mbaruar së ngrëni morrat…
(Marrë nga libri i Beqir Ajazit “Nga shkaba me kurorë, te drapri me çekan”)
Ne foto: Mehmet Shehu perballe Osman Gazepit (montazh)
















