Kryeministri Edi Rama vjen së fundi në një rrëfim ndryshe për revistën Mapo. Rama tregon për fëmijërinë e vizatimet e para. Për Liceun, rebelizmin dhe marrëdhënien me babain që i diktoi filozofinë e jetës: Mos kërko sepse nuk e merr!
Më poshtë pjesë nga rrëfimi ku Rama flet ëpër raportin me babain e tij, Kristaq Rama dhe debatet me të.
Thatë se babai është kujdesur për vizatimet. Shumëkush do të thoshte se ka qenë pikërisht ai që ju ka ndenjur mbi kokë për t’ju mësuar…
Në fëmijëri jo, më vonë jo e jo! Madje askush në shtëpi nuk më ka thënë ndonjëherë: “Vizato!”, kur isha i vogël! Sepse nuk është asnjëherë diçka e mirë në fakt, ta detyrosh fëmijën të pikturojë. Fëmijët bëjnë mrekulli, nuk thoshte kot Pikaso dua të ribëhem fëmijë, por mrekullitë e fëmijëve me format e me ngjyrat nuk tregojnë medoemos se të gjithë ata kanë talentin e artistit pamor. Në fakt janë shumë të paktë ata që e kanë farën krijuese të artistit brenda tyre dhe gjëja e duhur është që fëmijës të mos i mungojnë kurrë letrat e ngjyrat, por të mos i thuash kurrë: “Ulu vizato!”. Nëse kalon fëmijëria e parë dhe fëmija vazhdon të vizatojë, i panxitur nga askush, atëherë diçka ka brenda tij që duhet ndjekur me kujdes. Por gjithnjë në distancë. Prindërit e mi nuk donin që unë të shkoja në Liceun Artistik, pikërisht sepse im atë besonte se nëse e kisha vërtet brenda meje atë diçkanë ndryshe që bën diferencën, më mirë që këtë ta provonte koha, pa u futur qysh në shkollën e mesme në rrugën e edukimit të mirëfilltë artistik. Fitoi kokrra e lotit tim në një betejë jo të shkurtër, e cila, me sa duket, i bindi prindërit se po kërkoja me këmbëngulje thjesht fatin e artistit brenda meje.
Në fëmijëri jo… e nisët përgjigjen e kësaj pyetjeje. Më vonë, e theksuat fort, jo e jo…
Asnjëherë im atë nuk është marrë drejtpërdrejt me punën time. Madje e ndiqte çka bëja në Lice e më pas në Akademi me cepin e syrit. Kur isha fëmijë, ai më merrte shumë-shumë rrallë në studion e tij, ndonjë të diel që donte të lironte time më nga barra e të ndenjurit pas meje. Më vonë e vizitoja mbase dy a tri herë në vit studion e tij. Për të, rruga ime nuk duhej të ishte e ndryshme nga ajo e dikujt që nuk e kishte babain artist dhe kjo ka qenë diçka e paçmueshme që ai ka bërë për mua. Nga ana tjetër, ai ka dashur dhe ka bërë të tijën, që unë të rritesha me idenë se asgjë nuk ishte aty, gati për mua. Fëmijëria ime ka kaluar me një kufi të pashkelshëm, “Mos kërko sepse nuk e merr!”; kështu u mësova që fare i vogël të mos kërkoj as akullore, as lodra (të cilat mësova t’i pres me durim të vinin). Ky rregull u prish vetëm në moshën e leximit, sepse “të kërkosh libra nuk është gabim!”, ndërkohë që më mbeti zakoni i mirë që të mos kërkoj asnjëherë nga të tjerët gjëra materiale. Ndërsa pasi hyra në Lice e më vonë në Akademi, për të marrë këshilla për artin, im atë më sugjeronte të trokisja te shokët e vet dhe kjo qasje e tij shumë e kthjellët më la të lirë prej hijes së babait e më çoi në rrugën e dy udhërrëfyesve pa të cilët nuk do të isha bërë dot asnjëherë ai që jam, Danish Jukniut dhe Edi Hilës më pas. I pari ishte maestroja më i madh i të rinjve që ka pasur ky vend, i dyti një Golden Boy i pikturës shqiptare, që në kohëra e vende të tjera ma ha mendja do të kishte ngjitur majat e botës së artit. Po kam marrë disa mësime shumë të vyera edhe nga Thoma Thomai e Sali Shijaku; dy ustallarë të klasit të parë.
Kjo duhet të ketë qenë dhe koha kur kanë nisur të realizohen pikturat prej vërteti, apo jo?
Po, piktura prej vërteti kanë filluar për mua në atelienë e Liceut Artistik dhe në banjën e shtëpisë, e cila ishte “studioja” ime.
Në banjën e shtëpisë?!
Po, po, nuk është aspak shaka, nuk kishte vend tjetër në shtëpi, në kuzhinë apo dhoma ishte e pamundur. Kuzhina përveçse e vogël ishte gjithnjë e “populluar” nga gjyshja dhe mamaja, ndërkohë që në dhoma, as që bëhej fjalë të hapje bojërat e vajit. Sepse, përveçse mund të bëje dëme duke bërë njolla që pastroheshin vetëm me benzinë, era e vajit të lirit me terpentinë e bënte ajrin të padurueshëm për çdo “banor” tjetër, përveç meje vetë.
A kënaqej nga ajo çfarë realizonte adoleshenti Rama? A ishte pikërisht kjo koha kur do të nisnin pakënaqësitë, pangopja, rebelizmi, kriza artistike?
Në këtë pikë asgjë s’ka ndryshuar. Unë u gëzohem gjërave që bëj, po nuk kënaqem kurrë, nuk ndaloj asnjëherë, nuk rri dot pa u përpjekur ta ndryshoj për mirë atë që më ka gëzuar kur e kam bërë më parë dhe aty për aty më është dukur “Ok”! Besoj se hyj ndër prishësit më të palodhur të pikturave, kërkoja gjithnjë më shumë nga çfarë arrija në telajo, qoftë në Lice, qoftë në Akademi, po edhe më pas e njëjta gjë. Rebelizmin, siç e quani ju, e kam pasur natyrë të dytë në atë moshë, si jo shumë të tjerë atëherë dhe si të gjithë ata që sot – është kohë tjetër natyrisht – janë në atë moshë. Po mua rebelizmi nuk m’u shua asnjëherë. Fatmirësisht! Dëshirën e brendshme për të ngrënë mollët e ndaluara asokohe e kisha të pashuajtshme, çka besoj më çonte natyrshëm edhe në rrugën e shkeljes së kufijve shoqërorë, e cila shkoi deri te rebelimi kundër regjimit të asaj kohe. Lëre se ç’përralla tregojnë sot, ai rebelim nisi e mori formë pikërisht në Akademinë e Arteve.
Në një rrëfim tuajin mediatik, për kohët kur ishit 16 vjeç, keni thënë: “Kishte debate në shtëpi me babain. Nuk dua të flas për këtë temë, nuk dua të bëhet ushqim për qentë”. Ndoshta prapë s’do doni ta hidhni atë ushqim, as këtë herë, por unë po jua bëj pyetjen gjithsesi. Me çfarë kishin të bënin këto debate, apo me pikturën?
Jo, kishin të bënin me jetën, me normat e kohës, me paragjykimet apo gjykimet e asaj kohe dhe me tipin tim, që isha i prirur të kundërshtoja për çdo gjë apo të tallesha me gjërat që konsideroheshin tabu. Po gjithsesi, këtu “qenve” mund t’u them pa zbukuruar asnjë presje, se im atë zotëronte artin e të qenët një baba tolerant si rrallëkush, përballë fëmijës, adoleshentit rebel apo djalit të rritur e më pas, të bërë burrë, po se po! Nëse shpirti im nuk u ndrydh dhe unë u bëra një njeri i lirë në mendimet e në zgjedhjet e mia, kjo është në radhën më të parë merita e tij. Nëse unë nuk e pësova nga të qenët djali i një babai me emër të madh, çka dihet se ndodh rëndom me djemtë e baballarëve të shquar, këtë unë ia dedikoj vetëm atij dhe e falënderoj me një mirënjohje të patregueshme, sa herë më viziton në kujtimet e mia apo e vizitoj në banesën ku prehet.
A shkoni shpesh atje?
Kjo është vetëm puna ime, ndjesë!
Si për t’i ikur këtij momenti, paksa të sikletshëm, biseda i kthehet kohës që u prek pak më lart, tek Akademia e Arteve, të cilën Rama e cilëson si periudhë epike, nëse në historinë e artit flitet për një periudhë të tillë. Brezin e atyre viteve e quan me fat, sepse regjimit po i binin ushkurët dhe hapësira e lirisë së krijimit, edhe pse e ngushtë sa të duash, ishte goxha më e gjerë se ajo e periudhës së tmerrshme të marrosjes ideologjike në kulturën dhe artin e viteve ’75-’80. Sepse nëpër atelie kishte nisur një frymëmarrje e ndrojtur, por e ndjeshme dhe puna pasionante aty shoqërohej me bashkëbisedime pa fund për artin e ndaluar, festa të mbyllura nëpër shtëpi e studio ku kërciste muzika e ndaluar, lexime librash të ndaluar e përkthime poezish “të degjeneruara”… Dhe me një tallje të madhe me çdo tipar të fytyrës serioze të regjimit!















