Llambi Blido kthehet pas 24 vitesh me një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve… Pjesa më e madhe e veprave që janë ekspozuar, janë realizuar mbas viteve ’90, ku nuk mungojnë ato të realizuara mbas vitit 2001, kur piktori humbi shikimin. Janë 100 punë, përmes të cilave Llambi Blido përpiqet të hedhë dritë mbi karakteristikat kryesore dhe origjinalitetin e pikturës së tij
Llambi Blido kthehet pas 24 vitesh me një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve… Pjesa më e madhe e veprave që janë ekspozuar janë realizuar mbas viteve ’90, ku nuk mungojnë ato të realizuara mbas vitit 2001, kur piktori humbi shikimin. Janë 100 punë përmes të cilave Llambi Blido përpiqet të hedhë dritë mbi karakteristikat kryesore dhe origjinalitetin e pikturës së tij. Në konferencën për shtyp, drejtori i GKA-së, Artan Shabani, e vlerësoi artistin si një emrat më të rëndësishëm të artit figurativ shqiptar: “Llambi Blido është pjesë e brezit të parë të studentëve që u diplomuan në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë në mesin e viteve ’60. Megjithëse me një krijimtari jo të shumtë në numër, dhe një numër të pakët ekspozitash, ai është një nga piktorët e shquar dhe të rëndësishëm shqiptarë, të gjysmës së dytë të shek. 20 dhe në vazhdim.
Ekspozita që hapim sot nuk ka karakter retrospektiv. Ajo paraqet një koleksion të zgjedhur nga krijimet e artistit, sidomos pas viteve 1990-të, e akoma me shume nga ciklet e krijuara pak para, dhe pasi artisti humbi plotësisht shikimin në vitin 2001 nga glaukoma. Me këtë kondicion fizik të tanishëm, mjeshtri Blido hyn në një panteon të rrallë artistësh, si: Degas, Manet, Xhorxhia O Kif, dhe Sigmar Polke, të cilët krijuan edhe pasi e humbën shikimin plotësisht, apo pjesërisht”, tha Shabani. Ylli Drishti, kurator i ekspozitës, bëri një përmbledhje të jetës dhe krijimtarisë së Llambi Blidos. Ndër të tjera ai theksoi: “Ekspozita e Llambi Blidos në Tiranë, në GKA është një udhëtim ndërmjet ngjyrave delikate por edhe potente të një artisti origjinal, me një stil të veçantë të krijuar në vitet ’70 të shekullit XX”.
Vetë artisti Llambi Blido, shpjegoi në mënyrë të përmbledhur faktorët dhe kushtet që kanë ndikuar në artin e tij, në mënyrën e tij të të krijuarit, përfshirë edhe periudhën e viteve të fundit pasi ai ka humbur shikimin. Piktori pranon se është një admirues i vazhdueshëm i pikturës franceze dhe se kanë qenë artistë si Matis, që e kanë frymëzuar atë në vijimësi.
“Kur vjen në Galerinë Kombëtare një autor me artin e tij, me krijimtarinë e tij, hyn në garë edhe me historinë e artit shqiptar, me historinë e pikturës, skulpturës, të vizatimit, hyn në garë me mjeshtrat tanë të vjetër dhe me mjeshtrat e disa prurjeve të mëdha në artin shqiptar, sikurse hyn në garë edhe me bashkëkohësit, me të vjetrit dhe të rinjtë. Kjo është shumë interesante për autorin, për artistin, por është interesante edhe për publikun. Nga ana tjetër, frymëmarrja e plotë që i ka dhënë Galeria Kombëtare të gjitha zhvillimeve, nganjëherë edhe të kundërta, të ndryshme, gjë e cila është normale për kohën tonë, është meritë e Galerisë dhe e drejtorit Shabani, ashtu si edhe e gjithë stafit të GKA”, u shpreh artisti.
Ngjyra për piktorin ka qenë objektivi i madh qysh në rininë e tij, duke synuar ngjyrat e gjalla, me maksimumin e forcës së shprehjes.
Në konkretizim të kësaj, na tregon murin e fundit të ekspozitës, pasi pjesa e parë përbëhet nga 24 kolazhe, të cilat gjithashtu demonstrojnë pasionin e tij të përjetshëm ndaj ngjyrave. Ndërsa pjesa tjetër me dhjetë tablo jo të mëdha, i rendit si kulminacione të demonstrimit të këtij pasioni, një lloj obsesioni për ngjyrën.
Në një retrospektivë, janë disa punë të viteve ’60, ’70, dhe ’80, për të cilat Blido kujton “figurën” me modele të gjalla dhe që i ruan në fondin e tij personal. Në fakt, para pak kohësh, vetë Blido ka folur për këto modele “të ndaluara”, ku në një farë mënyre bënin rrëfimin e padukshëm, shkëputjen nga skematizmi socrealist të Blidos, duke pikturuar modele të gjalla nga gjimnazet e Tiranës komuniste. Ndoshta këto “fsheh” piktori si të pamundshme sot. Të tilla janë vetëm kujtimet, pasi realiteti për piktorin tani është jo më drita, për shkak të humbjes së shikimit. Shkëputja nga realiteti i drejtpërdrejtë nuk e ka ndarë nga imazhi, duke përdorur vizatimet e dikurshme. “Edhe pa i prekur fare, vetëm duke i transferuar nga letra ku janë në kanavacë, falë teknologjisë, nuk paraqet problem. Unë më pas pikturoj mbi kanavacë, mbi sipërfaqen ku është regjistruar vizatimi im i dikurshëm” Piktori na kujton një model, ashtu si në ciklin që Pablo Pikaso e ka quajtur “Piktori dhe modeli”, Blido gjen truallin e padiskutueshëm e të përjetshëm të pikturimit.





















