Zgjedhjet në Britani, Blair: Votoni çdo kandidat kundër “Brexit”

Arben Manaj

Me 522 vota pro dhe vetëm 13 kundër, Parlamenti britanik, pa habitur askënd, votoi autorizimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Britani, të cilat do të zhvillohen më 8 qershor.

Zgjedhjet u kërkuan të martën nga kryeministrja britanike, Theresa May, e cila kërkon një mandat më të fortë në negociatat për “Brexit”-in me Bashkimin Europian.

Dukshëm, ajo po shfrytëzon edhe shifrat e sondazheve, që i japin asaj dhe Partisë Konservatore një diferencë prej 21 pikësh me opozitën laburiste të Jeremy Corbyn, një diferencë që nuk është parë që prej 30 vitesh.

Pikërisht nga një perspektivë dhe frikë e tillë për asgjësimin politik të opozitës dhe partisë së tij, që për 3 mandate e mbajti në pushtet, ish-kryeministri britanik Tony Blair ka ndërhyrë në politikën kombëtare, duke kërkuar  nga votuesit  që të mbështesin në zgjedhjet e ardhshme çdo kandidat që kundërshton “Brexit”-in, apo daljen e Britanisë nga BE-ja.

Në kushtet kur janë shtuar spekulimet se ai mund të bëjë fushatë me liberal-demokratët, partia e tretë politike në vend që ka dalë publikisht për mbajtjen e një referendumi të dytë për “Brexit”-in, ish-udhëheqësi laburist, në një deklaratë të pazakontë kërkon nga votuesit britanikë, që në çdo zonë elektorale të mësojnë se çfarë qëndrimi kanë deputetët për “Brexit” dhe të mobilizohen me mijëra votues në çdo zonë elektorale, që t’ua bëjnë të qartë deputetëve se kjo çështje është vendimtare për votën e elektoratit.

Edhe pse është mohuar nga Blair, burime të udhëheqësisë së partisë së tretë më të madhe në Britani, liberal-demokratëve, që mendohet se do të marrin shumë vota nga përkrahësit e qëndrimit të vendit në BE, kanë konfirmuar se Tony Blair mund të bashkojë forcat për krijimin e një koalicioni pro Bashkimit Europian gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit.